Në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda po zhvillohet seanca për të shqyrtuar kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për ndryshimin e masës se sigurisë “arrest shtëpie”, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në 12 Maj. Sipas avokatit mbrojtës të Tahirit, kjo masë është e tepruar pasi prokuroria nuk ka asnjë provë të re kundër ish-ministrit, në mënyre që të kërkojë arrestimin e tij.
Vetë Tahiri është paraqitur në orën 13:30 në gjykatë, i shoqëruar me policë që nga banesa e tij, ku ndodhet në “arrest shtepie”.
Ish-ministri i Brendshëm akuzohet për “trafik të narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe të “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendore”.
Treshja e gjyqtarëve që do të vendosë sot në Apel për masën e sigurisë së Saimir Tahirit përbehet nga Saida Dollani, kryesuese, ndërsa anëtarë janë Sokol Binaj e Fehmi Petku.
Një ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu tha se gjykatës po i bëhen presione dhe kërcënime, por ka edhe tentativa për ta blerë për këtë çështje.
Avokati i Saimir Tahirit, Maks Haxhia u pyet nga mediat për këto deklarata sot, teksa hynte në gjykatë.
Maks Haxhia: “Kemi lexuar dhe rilexuar, disa herë deklaratën ose më saktë mesazhin e ambasadorit Donald Lu. Mund të them që ishte një mesazh shumë dimensional. Atë mesazh unë e ndava në dy pjesë. Mesazhin e qarkullimit të opinioneve siç ndodh gjithmonë në Shqipëri kur ka cështje të tilla pikante ose me probleme socialo-politike ose dhe metoda të tilla që kur duan që vendimi të jepet kundër, hapen fjalë që ushtrohen presione dhe jepen para. Ajo që mua më intereson mua si specialist i së drejtës dhe në detyrën e avokatit Tahiri është mesazhi i zotit Lu që gjykata duhet të gjykojë në prova dhe në ligj. Dhe nëse gjykojë në prova dhe në ligj, zotit Tahiri duhet t’i hiqet sot masa e arrestit në shtëpi”./abcnews.al