Saga e vrasjeve Papa-Sadikaj/ Delia: Shtatë të vdekur që nga 2022. Përplasjet mes grupeve për prishje të pazareve të drogës

schedule17:44 - 28 Gusht, 2024

schedule 17:44 - 28 Gusht, 2024

Andrew (Edvin) Bode, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të vitit 2022, është arrestuar nga forcat RENEA në Memaliaj

Sipas hetimeve, Bode është i dyshuari kryesor si vrasjes së Edmond Papës, e provuar kjo sipas organit të akuzës edhe nga pamjet filmike dhe nga qelizat telefonike që e kanë konstatuar prezencën e tij pranë vendit të ngjarjes në kohën kur është kryer vrasja.  Po ashtu, i pandehur për këtë atentat është marrë edhe Alvano Velo.

Në pranga të policisë ka rënë edhe Julian Kalemi, i cili strehonte në banesë 45-vjeçarin Andrew (Edvin) Bode.

Po ashtu, një tjetër emër i skeduar nga policia është vënë në pranga. Bëhëtë fjalë për Adriatik Kalemi (Andrea), babai i të cilit Shyqyri Kalemi u ekzekutua rreth një muaj më parë në në Memaliaj, ku humbi jetën edhe kamerieri i lokalit Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela, kurse i plagosur mbeti Artur Kalemi, xhaxhai i tij.

Roli Edmond Papës dhe hetimet për vrasjen e Aleksandër Sadikajt

Emri i 44-vjeçarit Edmond Papa, nuk ishte i panjohur për Policinë e Tiranës. Madje ata po verifikonin çdo dyshim, për lidhjen e tij me një tjetër vraje të ndodhur në Tiranë, 6 muaj para saj.

Bëhet fjalë për vrasjen e Aleksandër Sadikajt. Ky i fundit, u plagos rëndë e më pas humbi jetën pasi makina e tij u hodh në erë me eksploziv vitin e kaluar. Më 11 qershor, në orën 13:35, makina që ai drejtonte shpërtheu në ecje.

Edmond Papa ishte takuar me Aleksandër Sadikajn dy ditë para se të ndodhte shpërthimi në autostradën Tiranë-Elbasan. Madje, emri i tij ishte një ndër kontaktet e fundit në telefonin e Sadikajt, kur u verifikua për llogari të hetimeve.

Edhe familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes kanë pasur dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje.

Por pas vrasjes së tij, më 16 dhjetor dhe pasi nisën të identifikohen autorët e dyshuar, emri i Papës filloi të lidhej edhe më shumë me shpërthimin që i mori jetën Aleksandër Sadikajt.

Në fillim të 2023, Policia e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur vrasjen e Edmond Papës. Fillimisht në pranga u vu 30-vjeçari Albano Velo, shoku i ngushtë i Aleksandër Sadikajt.

Velo është arrestuar natën e ndërrimit të viteve në Aeroportin e Rinasit. Ai po kthehej nga Franca, ku kishte udhëtuar 4 ditë pas vrasjes së Papës.

Policia kishte të dhëna se vrasja e Edmond Papës ishte kryer për hakmarrje dhe ishte e organizuar nga disa persona. Hakmarrje që më pas do të zbulohej se nuk lidhej vetëm me vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

Këto përplasje mafioze Papa-Sadikaj u analizua nga gazetarja dhe autorja e emisionit “Gjërat Tona” në ABC News, Etleva Delia.

Ajo tha se janë shtatë të vrarë nga përplasja mes këtyre grupeve që prej 2022, pesë në Shqipëri dhe dy në Greqi.  Sipas hetimeve, gazetarja tha se përplasja mes tyre ka nisur për prishje të pazareve të drogës.

“Janë shtatë të vrarë, pesë në Shqipëri dhe dy të tjerë në Greqi, për të cilët nuk ka ende një përgjigje për ti lidhur me zinxhirin hakmarrjeve në Shqipëri. Për prishje pazaresh droge, kanë humbur jetën shtatë persona”, tha ajo.

E ftuar në News Line, Delia tha se ekstradimet e fundit nga Dubai, ka shtuar frikën tek personazhet e botës së krimit që kishin gjetur strehim atje.

“Ekstradimet e fundit kanë zbehur disi sigurinë që kishte Dubai. Duke parë dhe rastet e fundit, ekstradimin e Plarent Dervishajt  dhe Julian Mecës, personat që strehoheshin në Dubai kanë frikën e ekstradimeve’, tha ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!