Superliga shqiptare ka marrë një kërcënim të fortë nga presidenti i Kukësit, Safet Gjici. Numri 1 kuksian kërkon kthimin e Policisë së Shtetit për të ruajtur rendin në stadiume.
Padyshim që pakënaqësia është e madhe. Presidentët e klubeve shqiptarë të futbollit nuk po ndihen aspak mirë këtë sezon, që po detyrohen të paguajnë shumë më tepër nga xhepi për të ruajtur sigurinë në stadium. Veçse, kjo shtrëngesë paska sjellë kaq stres saqë menjëherë vjen paralajmërimi i parë për Superligën. E bën presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili flet për faqen zyrtare të klubit.
Safet Gjici, president i Kukësit:“Siguria në stadiume nuk mund të bëhet me polici private, është e pamundur. Nuk janë pjekur akoma kushtet në Shqipëri dhe tifozeria nuk është e ndërgjegjësuar që të arrijmë që ne të marrim përsipër sigurinë e stadiumit me polici private, është e pamundur. Të rikthehet policia e shtetit në krye të detyrës sepse ligji është i përcaktuar qartë që të krijojë sigurinë publike.”
Menjëherë pas humbjes në fushën e Flamurtarit, Gjici, lëshon këtë kërcënim.
“Unë jam dakord që të gjithë presidentët e klubeve të Superligës, por edhe ato që janë të kategorisë së parë, ne duhet të bllokojmë kampionatin nëse policia nuk rikthehet tek ruajtja dhe siguria e stadiumit. Në përgjithësi, kur luhen ekipe që janë rivale, Kukësi-Partizani-Korça-Tirana, do kemi përsëri probleme të mëdhaja.”
Me siguri, që Gjici ka folur në emrin e tij, por edhe në atë të presidentëve të tjerë, por nuk dihet nëse ka folur edhe në emër të Federatës, e cila gjithashtu ka kërkuar rikthimin e policisë në stadiume./abcnews.al