Sa u shitën dhe cilin politikan takoi specialisti që nxori pagat? Imeraj: Skema, pozita dhe opozita

schedule10:53 - 7 Janar, 2022

schedule 10:53 - 7 Janar, 2022

Katër persona, mes tyre dy zyrtarë të drejtorisë së Tatimeve u arrestuan për skandalin e nxjerrjes së të dhënave të pagave, por edhe targave të makinave. Të arrestuarit janë; Eni Qirjako, Andi Agaraj, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj në një konferencë për mediat me drejtuesit e policisë së shtetit tregoi skemën  si dolën të dhënat nga specialistja e “IT”-së e punësuar pranë AKSHI-t, e cila më pas ia dha kolegut të saj, që ia shiti në fund një kompanie përmbarimi. Imeraj u shpreh se dosjes do i shkohet deri në fund për të zbuluar qëllimin e nxjerrjes.

Pista është për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarje, jo vetëm për persona që kanë poste shtetërore, por edhe për ata që kanë krijuar aksesin e pasjes së këtyre të dhënave dhe publikimin e tyre me çfarëdo lloj qëllimi. Sot konkludojmë deri në këtë fazë. Hetimi do të jetë i plotë dhe objektiv për të zbuluar qëllimin e autorëve.

Kemi zbuluar mekanizimin e ngjarjes, sesi këto të dhëna të përfituara nga punonjës kanë mundur t’i aksesojnë dhe t’i përdorin. Këto të dhëna janë shitur nga punonjës që janë punësuar te AKSHI, paçka që ushtrojnë detyrën si punonjës në drejtorinë e Tatimeve.

Punonjësit dhe subjektet në sektorin privat i kanë blerë dhe përdorur për qëllime të tjera. Përsa i përket qëllimeve, prokuroria është e vendosur të hetojë cdo individ apo subjekt që ka pasur një qëllim të caktuar për përdorimin e tyre.

Subjektet private punojnë në fushën e përmbarimit në agjenci të ndryshme që këto të dhëna i kanë përdorur për qëllimet e tyre të punës apo të tjera. Në momentin më të parë do të jemi shumë transparent” tha ajo.

Por me cfarë çmimi është shitur databaze? “Unë shpjegova mekanizmin duke shpjeguar në rangun teknik nga kanë dalë, bëhet fjalë për pagat e disa muajve që kanë dalë nga një specialist më pas është ndjekur zinxhiri dhe është zbuluar përmes shitjes dhe blerjes nga subjektet private. Do i shkojmë deri në fund çdolloj subjekti të përfshirë”.

Po a i kanë pranuar akuzat të arrestuarit? “Për shkak të qëndrimit të mbajtur personalisht, nuk mund të shprehemi”. Emrat personit që nxori të dhënat dhe të arrestuarve të tjerë nuk pranoi që t’i bënte publikë. “Për emrat e katër të arrestuarve. Kjo do ju përcillet në një komunikatë për shtyp dhe seanca e masës së sigurisë do të jetë me dyer të hapura” tha ajo.

Opozita thotë se të dhënat janë përdorur për zgjedhjet e 25 Prillit, por kur janë nxjerrë të dhënat? “Unë nuk e di cfarë thotë pozita dhe opozita, ne dimë cfarë themi ne nga hetimi. Nga ana jonë janë hetuar të gjithë veprimtaria dhe mekanizimi i nxjerrjes së pagave dhe kemi konkluduar me to. Për ato muaj që na janë publike”.

Por a kanë pasur këta specialistë që kanë shitur të dhënat kontakte me përfaqësues të politikës?

Prokuroria nga data 22 dhjetor ka kryer veprime intensive të ngjeshura në kohë për të zbuluar autorët dhe mekanizimin, për më tutje do të presim hetimet” përfundoi Imeraj./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!