Nuk i ka ndodhur shpesh, por sikur diçka ka ndryshuar.
Partizani shkarkoi një tjetër trajner, Aleksandar Veselinoviçin, pas humbjes së rëndë në shtëpi ndaj Bylisit në Superligë.
Ky ishte I 9-ti teknik që largohet nga stoli I kuq që nga viti 2019 kur u fitua titulli kampion.
Në komunikatën e të kuqve shkruhej se vendimi u mor për shkak të rezultateve të dobëta të kohëve të fundit dhe mbi të gjitha tek mungesa e karakterit që duhet të tregojë Partizani.
Veselinoviç e drejtoi ekipin në 24 ndeshje, duke pësuar vetëm dy humbje, që ndodhën në dy sfidat e fundit.
Të kuqtë janë në vend të katërt në renditje, të shkëputur nga Egnatia që kryeson, ndërsa në janar nga ekipi u larguan të paktën 4 lojtarë të rëndësishëm të formacionit, si Rrapaj, Mba, Hadroj dhe Cara.
Pritet që drejtori teknik Arbër Abilaliaj të kthehet sërish në stol deri në fund të sezonit.
Edhe pse presidenti I klubit, Gazmend Demi, besohet se nuk ndërhyn në punën e trajnerëve dhe nuk nxitohet t’i shkarkojë, statistikat flasin pak më ndryshe.
Skënder Gega u largua menjëherë pasi fitoi titullin kampion në 2019, të parin në 26 vjet.
Pas tij pati mungesë stabiliteti me italianin Lerda, Dritan Mehmetin dhe hera-herës Renaldo Kalarin.
Në 10 gusht 2020, erdhi prezantimi I atij që cilësohet si trajneri më I mirë shqiptar, Ilir Dajës.
Edhe pse ai u cilësua nga Demi si përforcimi më I mirë, sërish objektivi për titullin nuk u arrit, për shkak të humbjes në javën e fundit të kampionatit ndaj Vllaznisë në “Arenën Kombëtare”.
Daja vazhdoi edhe sezonin pasardhës, por raporti nuk pati aq shumë dashuri dhe trajneri vendosi të ndahej në 27 dhjetor 2021 për të nisur aventurën e shkëlqyer me Ballkanin e Suharekës në Kosovë.
Italiani Xhovani Kolela, përtej polemikave dhe dyshimeve, drejtoi ekipin drejt titullit tjetër kampion, të fundit të fituar nga Partizani në 2023, por sërish kjo nuk I mjaftoi.
Presidenti Demi e shkarkoi pak javë më pas.
Kroati Zoran Zekiç nuk erdhi puna që të hiqej nga detyra, sepse mori ofertë nga Osijeku dhe u largua në marrëveshje me klubin, i pasuar nga Abilaliaj.
Historia e vonshme dihet, me Veselinoviçin, që gjithashtu nuk I shpëtoi fatit të njerëve të stolit tek Partizani vitet e fundit./abcnews.al