Sa mjekë kemi sot? Gjata: Duhet ndërruar sistemi, shumë vështirë t’i mbajmë njerëzit në Shqipëri

schedule20:12 - 2 Mars, 2021

schedule 20:12 - 2 Mars, 2021

Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë dhe njëherësh shef i rekrutimeve në mjekësi i ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu shpjegoi arsyet e largimit të mjekëve nga Shqipëria, që sipas tij, në vitet e fundit kanë qenë me qindra. Por si mund të parandalohet?

Duhet një strategji, që nuk mund ta bëjë universiteti, por qeveria. Por është shumë e vështirë t’i mbash njerëzit në Shqipëri, nuk është kaq e thjeshtë. Unë kam qenë në Gjermani në ‘92, në ‘94 kisha ofertë që mund të rrija, por u ktheva. Nuk është fenomen shqiptar, ka prekur gjithë botën.

Ne kemi humbur disa qindra mjekë. Më parë Shqipëria nuk humbte mjekë, pasi me diplomat tona duhet të jepeshe disa provime shtesë, gjë që krijonte disa vështirësi dhe shumica preferonin të rrinin në Shqipëri. Ne kemi sot mjekë 7 mijë, 7300 diçka e tillë. Tre mjekë për një mijë banorë. Janë pak. Vendet në perëndim kanë 7-8 mijë për një mijë banorë” tha ai.

Zgjidhja? “Por unë besoj se është e domosdoshme që të ndërrohet sistemi, nuk është njeriu. Sistemin duhet ta ndërrojë politika. Në këto 30 vite nëse do të shikojmë politikat që janë ndjekur për mjekësinë, sa është shpenzuar…” tha ai. Ndalur te arrestimi dhe më pas lirimi i mjekut Edvin Prifti, Gjata tha se “Burgosja e mjekëve ndikon për keq”.

Përsa i përket situatës nga fronti i luftës kundër koronavirusit, Gjata parashikon një tjetër vit të vështirë. “Vazhdon që të ketë barrë të rëndë në spitalet COVID në Tiranë. Nuk ka fjetur njeri mbi dafina, njerëzit janë të shqetësuar për situatën. Me siguri do të kemi edhe një vit të vështirë përpara” përfundoi ai./ db/ Abcnews.al