Të dielën e sotme spektakli i humorit “Kosherja” ka nisur me editorialin e moderatorit Bes Kallaku, i cili ka treguar se si kanë qenë gjërat dikur dhe si kanë ndryshuar në ditët e sotme.
Ai ka theksuar se dikur marrëdhëniet mes njerëzve kanë qenë shumë më të afërta, ndërsa tani janë ftohur.
Sipas Besit, nëse dikur komshinjtë mblidheshin për të parë TV te shtëpia e njërit prej tyre, sot ankohen për zërin e lartë të TV.
“Në fakt të them të drejtën, gjërat kanë ndryshuar shumë, po shumë, se më përpara nusja rrinte me vjehrrën me vjehrrin, kurse sot nusja para se të bëjë gati valixhet e veta për të shkuar te burri, bo gati valixhet e vjehrrës dhe të vjehrrit me i qit prej shpie.
Dikur thonin pjata ime o pjata jote, kurse sot edhe kur shkon për mik duhet me marrë bukë me vete. A po më respekton a nuk po më respekton thonë. E keni parasysh, dikur mblidhej e gjithë lagja te shpia e një komshiu, edhe shikonim të gjithë televizor bashkë, kurse sot kur ngre komshiu zërin e televizorit. “Po ky budalli na çmendi, na çmendi.
Dikur nëpër pallate, e mbanim derën hapur, kurse sot me 20 dryna, me 20 shula. Për çdo hallë që kishte komshiu, jo ai derë më derë se atë e kishe si vëlla gjaku. Çdo hall që kishte një i lagjes, bëheshin të gjithë bashkë, kurse sot nuk njeh atë që ke ballë për ballë në derë.
Dikur në lagje mbasdite mblidheshim të gjithë bashkë, pinim kafe dhe shihnim filxhan, kurse sot pimë ekspres dhe shohim punën e tjetrit.
Dikur e donim shumë njëri-tjetrin në lagje, kurse sot përveç se tjetrin nuk e njohim, nuk duam as veten.
Sa mirë ishim kur ishim ngushtë dhe keq, sepse më përpara i kemi pasur shtëpitë e vogla, edhe kishim shumë dashuri dhe shumë njerëz brenda. Kurse sot i kemi shtëpitë e mëdhaja, pak dashuri dhe pak njerëz”, tha ndër të tjera Kallaku. l.k/abcnews.al