Sallatë lakre e domatesh, mish i kuq e i bardhë ishin disa prej ushqimeve që dhjetëra persona në fshatin Trudë të Prishtinës kishin konsumuar në një mbledhi familjare.
Pas konsumimit të ushqimit të porositur në një lokal në Prishtinë më 3 shtator 2021, shumë prej këtyre personave kishin kërkuar ndihmë mjekësore.
Simptomat e të sëmurëve ishin kryesisht diarreja e të vjella. Pas testimeve ishte konstatuar se ky rast kishte të bënte me helmim nga ushqimi.
Dy ditë pas kësaj ngjarjeje, Policia e Kosovës ka alarmuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që dolën për ta inspektuar lokalin.
AUV ka treguar për Radion Evropa e Lirë se fillimisht në lokal ishin inspektuar kushtet e përgjithshme sanitare që ishin vlerësuar në nivel mesatar.
“Por, kishte mundësi të kontaminimit të kryqëzuar, pasi që në të njëjtën hapësirë ruhen produktet e gatshme për konsum me produktet lëndë e parë. Djathi, sosat ishin shumë afër vezëve, pa asnjë ndarje fizike, gjë që paraqet mundësi për kontaminim”, ishte konstatimi i inspektorëve.
Sipas rezultateve të inspektimit, majonezi ishte gjetur se mbahej në temperaturë dhome e jo në temperaturën e caktuar për ruajtje.
Menjëherë pas kësaj, sipas AUV, lokali u mbyll përkohësisht për të vazhduar me analiza të tjera të ushqimit dhe kuzhinës.
Strishot e marra në ambientet e kuzhinës treguan prezencë të bakteries Escherichia Coli që mund të shkaktojë helmim, ndërkaq në ushqimet si sallatat, mishrat dhe gjellat u gjetën bakterie të gjalla mezofile dhe koliforme.
Lokali u rihap pas inspektimit të dytë dhe vlerësimit se kushtet ishin përmirësuar.
Megjithatë, ndaj këtij biznesi sipas AUV është iniciuar fletëparaqitja për gjykatë për kundërvajtje.
Qindra raste në gjykatë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me inspektorët sanitarë nëpër komuna, është institucioni i vetëm përgjegjës për inspektimet lidhur me sigurinë e ushqimit në Kosovë.
Sipas AUV, ata hartojnë çdo vit plane për kontrolle zyrtare lidhur me sigurinë e ushqimit.
“Këtij plani, për çdo vit iu shtohen parametra të rinj krahasimisht me progresin në hartimin e akteve të reja, prezencës së rreziqeve si dhe koncepteve të vendosura nga institucionet e BE-së”, thuhet në përgjigjen e e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas kontrolleve në tre vjetët e fundit u iniciuan 169 raste të kundërvajtjeve, përkatësisht shkelje të rregullave të sigurisë ushqimore.
Sipas AUV, 30 raste ishin iniciuar në 2018, 85 raste në 2019 dhe në vitin 2020 u inicuan 54 raste.
Gjykata e Prishtinës ndërkohë nuk ka ofruar të dhëna se sa prej këtyre rasteve i kanë pranuar dhe çfarë është epilogu i tyre.
Të dhëna nuk janë ofruar edhe lidhur me atë sesa aktakuza për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore janë duke u trajtuar në këtë gjykatë.
Një raport i veçantë lidhur me sigurinë e ushqimit në Kosovë ishte bërë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në vitin 2019.
Sipas këtij raporti, ka pasur mungesa në koordinimin e kontrolleve nga inspektorët e nivelit komunal dhe atij qendror si dhe nuk është siguruar se kontrolli po bëhet në të gjitha fazat e përpunimit të ushqimit.
Një shqetësim brenda këtij raporti është ngritur lidhur me funksionimin e tregjeve të palicensuara në komuna dhe sidomos ato të kafshëve ku edhe bëhet therrja e pakontrolluar dhe shitja e mishit të pasigurt.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, vetëm gjatë vitit 2018 janë asgjësuar rreth 150 mijë kilogramë ushqime të ndryshme nga AUV-ja.
“Kontrolli të shtohet edhe në kufi”
Një rritje e numrit të inspektimeve lidhur me sigurinë ushqimore, por edhe forcimi i zinxhirit të kontrollit është i domosdoshëm, sipas Selatin Kaçanikut, drejtor i organizatës “Konsumatori”.
“Jo çdo artikull kalon nën kontrollin e agjencisë. Se ka produkte që nuk kontrollohen, është e ditur. Shumë të tilla dalin në treg, markete, gastronomi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, duhet të minimizohen mundësitë që ushqimi i pasigurt të mund të hyjë në vend për të evituar pastaj shpërndarjen nëpër treg të Kosovës.
Këto kontrolle, sipas Kaçanikut, duhet të jenë shumë strikte sidomos për produktet e mishit, qumështit dhe miellit.
“Natyrisht që ka nevojë për kontroll më të madh dhe kontrolli duhet të nisë që nga kufiri. Ne kemi mangësi sepse nuk kemi treg unik. Nevojitet zbatimi i ligjit, por edhe njohje e të drejtës së qytetarit konsumator”, thotë Kaçaniku.
Siguria ushqimore është njëra ndër standardet e kërkuara për integrim në Bashkimin Evropian.
Kjo temë është e ndarë në një sektor të veçantë brenda programit të qeverisë.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti në programin qeverisës ka thënë se synon “avancimin e politikave të sigurisë së ushqimit dhe përafrimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian”.
Sipas programit synohet hartimi i kornizës ligjore për ushqimin e sigurt dhe sigurinë ushqimore dhe kornizës ligjore për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve të kafshëve, qarkullimin e kafshëve të gjalla dhe produkteve me origjinë shtazore.
Në shtator të këtij viti, qeveria ka aprovuar një koncept dokument lidhur me sigurinë e përgjithshme të produkteve.
Ky dokument ka paraparë në plan hartimin e Ligjit të ri për sigurinë e përgjithshme të produkteve sipas standardeve të BE-së, ligj ky që ende nuk është miratuar.
Përveç kësaj, sipas Kaçanikut, pa vetëdijësimin e qytetarëve për mënyrën e kontrollimit dhe raportimit të sigurisë së ushqimit, nuk mund të krijohet një standard i përgjithshëm për sigurinë e ushqimit.
“Me vite të tëra kemi trumbetuar, kemi kërkuar që qeveria ta bëjë informimin, edukimin e vetëdijesimin e qytetarit konsumator”, thotë ai.
Çfarë mund të bëjnë qytetarët për të evituar helmimin me ushqim?
Përderisa përgjegjësia për kontrollin e ushqimit në import, përpunim dhe shitje brenda vendit i takon institucioneve, ekspertët thonë se ka hapa që mund të ndërmerren edhe nga qytetarët për të siguruar ushqimin që hanë.
Vala Pupovci, nutricioniste, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet shtuar njohuria e përgjithshme e qytetarëve për kontrollin e përbërësve ushqimore dhe sidomos mënyrën e ruajtjes së ushqimit.
Sipas Pupovcit, koha e mbajtjes së produkteve të mishit dhe qumështit në shtëpi, është vendimtare për sigurinë e këtyre produkteve.
“Nëse konsiderojmë se qytetari e ka blerë mishin e freskët, një prej rregullave të para është që të vazhdohet ai ‘zinxhiri i ftohtë’, të futet në frigorifer. Një rregull i përgjithshëm është që të mos lihet mishi për më shumë se dy orë jashtë frigoriferit, apo një orë në kohët e nxehta”, tregon ajo.
Sa i përket qumështit, sipas Statovcit, nëse blihet i pasterizuar është më lehtë të mirëmbahet.
Një kujdes të veçantë, sipas saj, duhet t’i kushtohet edhe konsumit të vezëve, pasi sipas saj vezët që nuk janë të pasterizuara duhet të jenë tërësisht të ziera ose gatuara për të qenë të sigurta për konsum.
Sipas nutricionistes, një kulturë më e shpeshtë e gatimit vetanak në vend të ngrënies së shpeshtë në biznese të gastronomisë, ul dukshëm rreziqet për helmim.
“Edhe në raste të konsumimit jashtë shtëpisë, duhet të kemi kujdes në vendet ku konsumojmë dhe çfarë ushqimi. Në përgjithësi gjatë verës nuk është se preferohet shumë të konsumohen mishra”, tregon ajo.
Megjithë problemet e identifikuara në kontrollin e ushqimit në Kosovë, sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, numri i rasteve të helmimeve krahasuar me vendet e rajonit dhe atyre të BE-së, është i vogël.
Megjithatë, nga kjo agjenci kanë thënë se kanë nevojë për bashkëpunimin e të gjithëve për arritjen e sigurisë optimale të ushqimit pasi është “çështje nacionale si ndikues direkt ne shëndetin e përgjithshëm publik”./ REL