Mbrëmjen e sotme në emisionin Log. në “ABC”, me gazetarin Endri Xhafo, ishte e ftuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila foli për procesin e vaksinimit, efektivitetin dhe refuzimin e AstraZeneca nga mësuesit dhe jo vetëm.
Manastirliu u shpreh se beteja e qeverisë mbetet vaksinimi i të gjithë qytetarëve, ndërsa nuk dha një çmim konkret për vaksinat e blera sipas saj për të mos shkelur marrëdhënien serioze dhe ligjore me kompaninë, ndërkohë që qeveria amerikane ka bërë të ditur se e ka blerë me 15 dollarë vaksinën Pfizer.
Lexo edhe: “EMA” i dha “OK” AstraZeneca-s, Manastirliu: U besuam ekspertëve, prandaj s’e pezulluam
Gjithashtu gjatë bisedës në studio, Manastirliu tha se pritet që në prill dhe në maj pritet të vijnë doza të vaksinës nga Pfizer.
“Shumica e dozave pritet të vijnë brenda 2021. Ne jemi duke negociuar me Pfizer pasi ka edhe mundësi që të kemi më shumë vaksina. Jemi në pritje, për muajin prill edhe për muajin maj presim sasi të tjera vaksinash nga Pfizer. Nga Covax deri në maj presim rreth 80 mijë dosa të AstraZeneca për grupet më të rrezikuara”, u shpreh Manastirliu.
Pjesë nga biseda në studio:
Pyetje: Fakt është se Pfizer është më e shtrenjtë se AstraZeneca. Ne sa e kemi marrë Pfizer?
Manastirliu: Nuk ky është një diskutim…
Pyetje: Nëse kemi dy vaksina njësoj të mira dhe efikase njëra është më e shtrenjtë dhe tjetra më e lira. Sa do të mund ne të kemi akses tek AstraZeneca në raport me Pfizer?
“Qeveria shqiptare prej muajsh është në përpjekje për të siguruar vaksinën. Të gjithë e dimë që sot është arma më e kërkuar në botë dhe po ashtu e dimë edhe përpjekjen e qeverisë për të siguruar vaksinat kur në rajon ende nuk kishin filluar përveç Serbisë. Covax është një instrument që t’i do të parapaguash që të kesh.
Ne me Covax kemi parapaguar për 20% të popullatës. Janë 1 milion e 140 mijë doza që i kemi të siguruara me Covax. Ne kemi siguruar një mbulesë për 800 mijë qytetarë, pra me 1 milion e 600 mijë doza vaksinash. Për vaksinën asnjë vend nuk ka vënë si opsion paranë, por duhet të kuptojmë që vetëm disa shtete kanë parapaguar 70% të prodhimit të vaksinave për vitin 2021″, tha ajo.
E pyetur nga gazetarja Juli Xhokaxhi nëse është bërë ndonjë kosto paraprake se sa do të kushtojë ky proces deri në përfundim të tij, Manastirliu duke mos dhënë një shifër konkrete tha se kjo do të varet nga vaksina, lloji i saj dhe nga kosto e vaksinës, ndërsa shtoi se qeveria shqiptare është e përgatitur.
“4 milion dollarë që janë paguar, janë parapagim për blerjen e 1 milion e 140 mijë dozave”, tha më tej ministrja.
Pyetje: Europës i është ofruar Pfizer me 50 euro vaksina dhe pas negociatave e kanë marrë me 15. Në Amerikë është 15 dollarë, por Pfizer ka deklaruar se ky është çmim për periudhën e emergjencës dhe pretendohet që më vonë të rritet. Nëse qeveria amerikane e ka blerë me 15 dollarë vaksinën ne nuk mund ta themi?
Manastirliu: Jo nuk mund ta themi.
Pyetje: E kemi blerë më shtrenjtë apo më lirë se sa Amerika?
Manastirliu: Nuk mund ta themi për arsye të një marrëdhënie serioziteti dhe ligjore që kemi me kompaninë.
Juli Xhokaxhi: Sa hapësirë për pretendime për zgjedhje kemi, këtu flasim për cilësi që të zgjedhim më mirën?
Manastirliu: Detyra jonë është që të jemi transparent. Sa kohë që vaksinat janë të certifikuara nga vendet e prodhimit dhe ka mjaftueshëm studime që vërtetojnë efektivitetin dhe sigurinë e tyre , ato duhet të përdoren në popullatë sepse vaksina të shpëton jetën.
Të gjitha vaksinat që kanë ardhur dhe do të vijnë në Shqipëri do të jenë vaksina që blihen dhe certifikohen nga strukturat tona.
Miratohen nga Komiteti Kombëtar i Imunizimit për arsye të planit që ne kemi dhe nga një Komitet Etike që përcakton gjithë ecurinë e pjesës së vaksinimit në popullatë. Ne duhet të sigurojmë qytetarët që do vaksinë do të jetë e sigurt. Ne duhet të vaksinojnë, vaksinojmë…vaksinojmë të ndërpresim zinxhirin.
/abcnews.al/