Rustami: Laçi ishte racional, ne jo! Kastrioti shpëton me merkato

schedule16:13 - 22 Dhjetor, 2021

schedule 16:13 - 22 Dhjetor, 2021

Shkëlzën Rustami ishte në stol në duelin e sotëm të Kastriotit kundër Laçit, pasi trajneri Ramazan Ndreu është pezulluar nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës.

Rustami, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport u shpreh: “Duke parë formën mjaft të mirë të Laçit, e kishim menduar që në pjesën e parë të ishim pak më të kujdesshëm. Mungoi agresiviteti, por jo dëshira për të bërë mirë.

Morëm një gol për mungesë përqendrimi në pjesën e parë, ndërsa më pas ndryshuam dhe morëm kontrollin e lojës, por u ndëshkuam në momentin më të mirë tonin. Megjithatë kjo është diferenca mes dy ekipeve, pasi Laçi u tregua racional dhe nuk fali në rastet që pati, ndërsa ne shpërdoruam shumë”.

“Mudrazija? Dëmtimi i Ajazit na prishi punë, pasi është sulmuesi ynë kryesor, ndërsa Mudrazija ka qenë gjithmonë rezervë. Jo se nuk besojmë te ai, por pretendojmë që të japë shumë më tepër në fushën e lojës”.

“Mbijetesa? Vitin e kaluar ne morëm shumë pikë në fazat e para, ndërsa këtë herë na mungojnë pikët, pasi jemi vonuar në përgatitje. Merkato e vonuar, përgatitje e vonuar e të tjera gjëra kanë pasur ndikimin e duhur.

Nëse afrojmë lojtarët që na duhen në janar, them se do të luajmë shanset tona për të mbijetuar. na duhen patjetër përforcime, pasi shpesh po luajmë me mesfushorë në qendër të mbrojtjes. Jemi të kufizuar te organika, ndaj duhet të ndërhyjmë patjetër”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!