Donald Trump dhe avokatët e tij kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh, pas deklaratave se presidenti gëzon të drejtën për të falur vetëveten. Megjithatë, kreu i shtetit ka theksuar se nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë pasi nuk ka asgjë për të fshehur.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të hënën se gëzon “të drejtën absolute” për të falur veten e tij në lidhje me rastin “Russiagate”, edhe pse insiston se nuk ka bërë asnjë shkelje. Përmes një postimi në Twitter, Trump ka hedhur sërish poshtë akuzat se stafi i tij elektoral ka bashkëpunuar me Rusinë ose ka penguar drejtësinë.
Deklarata e tij ka ardhur pasi një prej avokatëve të tij e ngriti si opsion në një program televiziv. Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellianne Conëay është pyetur nga gazetarët në konferencën e rregullt për shtyp.
“Përse i duhet të falë vetëveten nëse nuk ka bërë asgjë të gabuar?”, është përgjigjur ajo, duke shprehur habinë përse reporterët i kthehen kësaj çështjeje, sipas saj tërësisht hipotetike.
Një ditë më parë, avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani u pyet në emisionin “This Ëeek” të ABC News nëse Trump e gëzon një kompetencë të tillë.
“Me siguri që po, por ai nuk ka përse ta bëjë një gjë të tillë”, tha Giuliani.
Sidoqoftë, ish-prokurori i hekurt i Nju Jorkut u shpreh i vetëdijshëm që pasojat politike të një vendimi të tillë nuk do të ishin të lehta.
“Të falësh të tjerët në cilësinë e presidentit është një gjë, por të falësh vetëveten është një gjë tjetër”, tha ai.
Ndërkohë, Trump, në postimet e tij ka kritikuar emërimin e Robert Mueller në krye të ekipit hetimor të “Russiagate”.
“Emërimi i tij ka qenë jokushtetues. Por pavarësisht kësaj, ne po i qëndrojmë lojës sepse unë, ndryshe nga demokratët, nuk kam bërë asgjë të gabuar”, ka thënë Trump./abcnews.al