“Russiagate”/ NYT: Avokatja ruse, informatore e Kremlinit

schedule16:34 - 28 Prill, 2018

schedule 16:34 - 28 Prill, 2018

Në një kohë që kanë përfunduar hetimet përsa i përket çështjes Russiagate, Nju Jork Times konfirmon se avokatja ruse që u takua me djalin e presidentit Trump në Qershor të 2016-s, ka pranuar se është informatore e Prokurorit të Përgjithshëm në Kremlin.

Natalia Veselnitskaia, avokatja ruse, e cila u takua me Donald Trump Junior në kullën Trump në Qershor të 2016-s, me premtimin se kishte material kompromentues kundër Hillary Clinton, është e lidhur me Kremlinin më shumë se sa është përfolur deri tani. Lajmi është publikuar nga prestigjozja Nju Jork Tajms. Ndër të tjera në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan NBC, vetë avokatja ruse pranoi se ishte gjithashtu një burim informacioni për një zyrtar të lartë të Kremlinit, prokurorine përgjithshëm: “Jam një avokate dhe një informatore”, u shpreh ajo.

Ndërkohë raporti përfundimtar i Komisioni të Inteligjencës në Dhomën e Deputetëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin përfundon dhe hetimi në Kongresin Amerikan për çështjen Russiagate, pohon se nuk ka asnjë provë që fushata elektorale e Trump është koordinuar në bashkëpunim me qeverinë ruse. Por nga ana tjetër në raport kritikohet shërbimi amerikan i inteligjencës, duke theksuar mangësi domethënëse. Gjithashtu kritikohet dhe fushata elektorale e Klinton dhe Trump ku ka pasur pak aftësi gjykimi dhe veprime të pamatura.

Përfundimet e raportit u bënë objekt kritike dhe nga ana e anëtarëve demokratë të komisionit, të cilët akuzuan republikanët se kanë mbyllur hetimet para kohe duke i drejtuar me objektivin për të mbrojtur presidentin Donald Trump. Raporti është publikuar i plotë në faqen zyrtare të dhomës së deputetëve amerikanë, dhe përfshin gjithashtu rekomandime për përmirësimin e sigurisë informatike dhe mbrojtjen e proceseve elektorale./abcnews.al