“Russiagate”, ish-këshilltari i Trump refuzon thirrjen e hetuesve

schedule22:22 - 6 Mars, 2018

schedule 22:22 - 6 Mars, 2018

Një ish-këshilltar i presidentit Donald Trump ka refuzuar t’u përgjigjet hetuesve të skandalit “Russiagate”, duke e cilësuar procesin hetimor një gjueti shtrigash.

Një ish-këshilltar i presidentit Donald Trump i është përgjigjur me një seri intervistash në media thirrjes së komisionit që po heton skandalin e njohur si “Russiagate”. Sam Nunberg, që ndihmoi në avancimin e fushatës presidenciale të Trump, deklaroi fillimisht se nuk do t’i thoshte “po” kërkesës së hetuesit të posaçëm, Robert Mueller.

Ai e cilësoi hetimin një “gjueti shtrigash” dhe sfidoi zotin Mueller që ta arrestojë nëse mundet. Nunberg, që humbi vendin e punës në vitin 2015, u ankua në intervistat e dhëna se i ishte kërkuar të dorëzonte mesazhet e shkëmbyera në postën e tij elektronike me ish-pjesëtarët e stafit elektoral të Trump. “Mendoj se do të ishte shumë qesharake nëse ata do të donin të më arrestonin, pasi nuk dua të kaloj 80 orë duke kontrolluar email-et”, tha ish-këshilltari për MSNBC.

Ai u shpreh më tej se thirrja ndaj tij nuk ishte e drejtë dhe shtoi se do t’i pëlqente që Mueller dhe hetuesit e tij të ngushtonin spektrin e hetimeve. Por më vonë, disi papritur, ai tha për agjencinë “Associated Press” se do t’i dorëzohet thirrjes. Mueller dhe ekipi i tij po hetojnë për të verifikuar nëse ka patur lidhje mes stafit elektoral të Trump dhe Rusisë, ose ndonjë përpjekje të Shtëpisë së Bardhë për të penguar drejtësinë. Ndërkohë, zëdhënësja e Trump, Sarah Sanders refuzoi të komentonte deklaratat e Nunberg kur tha: “Nuk kam ndërmend të rëndoj mbi shpatullat e dikujt që nuk punon në Shtëpinë e Bardhë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!