Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev është shprehur të hënën se prodhimi i armëve dhe pajisjeve të tjera luftarake në vend po rritet. Deklaratën, Medvedev e ka bërë në kanalin e tij në Telegram.
Medvedev, një aleat i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin, e bëri deklaratën si reagim ndaj raportimeve të fundit nga analistë perëndimorë të mbrojtjes, sipas të cilëve, Rusisë po i mbarojn raketat dhe automjetet e blinduara që i nevojiten për të vazhduar pushtimin në Ukrainë.
“Duke lexuar ato që thotë armiku, kam hasur vazhdimisht në deklarata se pajisjet ushtarake dhe armët në Rusi së shpejti do të mbarojnë. Sikur gjithçka është përdorur tashmë”, tha Medvedev.
“Mos shpresoni! Prodhimi i armëve dhe pajisjeve speciale po rritet nga tanket dhe armët tek raketat dhe dronët me precizion të lartë. Vetem prisni!” tha ai.
Medvedev shtoi se të hënën, pas udhëzimeve të dhëna nga Putin, ka pasur një kontroll të prodhimit të tankeve në korporatën Uralvagonzavod në Nizhny Tagil, e cila është prodhuesi më i madh rus i automjeteve të blinduara. /abcnews.al/