Rusia do të tregojë fuqinë e saj ushtarake si asnjëherë më parë. Ministri i Mbrojtjes njoftoi se në shtator do të zhvillohet stërvitja më e madhe ushtarake që nga viti 1981. Në të do të marrin pjesë rreth 300 mijë ushtarë, avionë dhe mjete të tjera ushtarake.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka thënë se vendi po planifikon të mbajë stërvitjet më të mëdha ushtarake që nga viti 1981. Kjo raportohet nga agjencitë ruse të lajmeve që saktësojnë se eventi do të mbahet muajin që vjen. Shoigu njoftoi se stërvitjet, të quajtura Vostok (Lindja) -2018, do të zhvillohen në rrethet ushtarake qendrore dhe lindore të Rusisë dhe do të përfshijë pothuajse 300,000 trupa, më shumë se 1,000 avionë, Flotën e Veriut dhe atë të Paqësorit, dhe të gjitha njësitë ajrore ruse. “Kjo është stërvitja më e madhe që do të zhvillohet në Rusi që nga viti 1981,” u tha gazetarëve Shoigu, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Ushtrimet e Vostok-2018 do të zhvillohen nga 11 shtatori deri më 15 shtator, me pjesëmarrjen e personelit ushtarak kinez dhe mongol, njoftojnë mediat ruse. Manovrat vijnë pasi marrëdhëniet midis Moskës dhe Perëndimit janë përkeqësuar në një përplasje pas Luftës së Ftohtë mbi çështjet, duke përfshirë aneksimin e Krimesë nga Rusia, rolin e saj në luftërat në Siri dhe Ukrainën lindore dhe ndërhyrja e dyshuar në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara dhe Evropë.
Stërvitjet ushtarake të shtatorit 2017 në Bjellorusi dhe pjesë të Rusisë perëndimore, të quajtura Zapad 2017, nxitën shqetësime në vendet fqinje të NATO-s tashmë të kujdesshme ndaj qëllimeve të Moskës pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në mars të 2014 dhe ndërhyrjes ushtarake në Ukrainën lindore, ku luftimet midis separatistëve rusë dhe forcave qeveritare të Ukrainës kanë vrarë më shumë se 10 mijë njerëz që nga prilli i vitit 2014. Moska dhe Minsku thanë se manovrat e përbashkëta përfshinë rreth 12,700 trupa në të dy, por zyrtarët perëndimorë kanë thënë se numri i vërtetë mund të ketë qenë rreth 100,000. /abcnews.al