Një deklaratë e një zyrtari rus se vendet baltike duhet t’i rikthehen Moskës ka shkaktuar diskutime. Duke diskutuar për këtë në emisionin “360 gradë”, koloneli Çlirim Toci tha se me deklarata të tilla, Moska synon që të rrisë presionin dhe të shkaktojë tensione të brendshme në këto vende.
Ish ministri i Jashtëm Arjan Starova e cilësoi thjesht si një trysni politike. Sipas tij, fokusi kryesor i Moskës është ndryshimi i kufijve në Ukrainë. Ndërkohë për ekspertin e gjeopolitikës Kreshnik Osmani, bota po hyn në një fazë të re, atë që ai e cilësoi një kalim nga ‘pax britanika’ në ‘pax amerikana’.
Pjesë nga diskutimi:
Çlirim Toci: Është e vërtet që zëvendës kryetari për mbrojtjen i Dumës ka deklaruar se vendet e Balltikut duhet t’i kthehen Federatës ruse. Kjo është në vazhdën politike për të rritur presionin në vendet e NATO-s dhe e nis nga Balltiku, për të rritur tensionet e brendshme të këtyre vendeve, ndarjen e opinionit publik pro dhe kundra qeverive të tyre dhe intensifikimi i luftës informative dhe psikologjike. Ka ardhur si rast i ndryshimit të emrit të një muzeu të një poeti lituanez.
Arjan Starova: Mendoj që ajo që është thënë me vendet baltike është trysni psikologjike dhe propagandistikë. Por fokusi kryesor është te ndryshimi i kufijve në Ukrainë, gjasat janë të mëdha që të ndodhë se sipas meje ka aludime të qarta jo vetëm nga amerikanët por edhe nga Zelensky që mund të ulemi në tavolinë dhe ta diskutojmë. U bë tre vjet që lufta në Ukrainë vazhdon dhe gjithnjë e bën më të mprehtë pyetjen nëse do të vazhdojë duke shkatërruar vendin e marrë jetë njerëzish, duke kërkuar para nga Amerika dhe Evropa dhe duke pasur gjithnjë që të mund të eskalojë apo do të ulemi qoftë edhe për ndryshim kufish që t’i japim fund këtij konflikti. Kjo ide do të shtrohet në tryezën e bisedimeve.
Artur Meçollari: Unë e shikoj më tepër këtë deklaratë për shkak të efektit Trump, ka edhe një deklaratë nga Bullgaria për RMV ku kryetari i opozitës ka kërkuar aneksnimin e Maqedonisë. Jemi në fazën e post deklaratës së Trump.
Kreshnik Osmani: Fakti që ka interes të madh ndërkombëtar dhe zien bota prej këtyre deklaratave ka disa pikësynime nga Kremlini. Së pari, Putin po përgatit fishat e tij në pazarin e ri të lojës së madhe të kombeve. Së dyti, po ndërton retorikën e revizionizmit historik që lidhet me rindërtimin e perandorisë ruse. Por më e rëndësishme se të gjitha, rëndësia e deklaratës është në kuptimin se çfarë synon ajo dhe jo sesa do të realizohet. Hapjen e lojës e bëri Trump me Groenlandën, Panamanë dhe Kanadanë. Rusët janë përpara bisedimeve me Trump dhe po maksimalizojnë dëshirat që të marrin sa munden se Putin e di mirë që në këtë moment bota po hyn në fazë të re, faza e ndërmjetme, që njofton me shumë gjasa kalimin e botës pax britanika në pax amerikana. Bota e hartave britanike franceze dhe në atë të re që do të vendosë Trump.
Ledion Krisafi: Pjesa e Trump ka hapur lojën. Putin është duke u lutur që amerikanët të marrin Groenlandën dhe Kanadanë se i gjithë sistemi hidhet në erë. Vendet balltike në këto vite kanë pasur narrativën më të egër antiruse, gjë që ka krijuar zemërim në Moskë./abcnews.al