Forcat ruse sulmuan zonën banimi të Kostyantynivka në rajonin e Donteskut duke përdorur municion fosforik, pas së cilës ndodhi edhe një sulm me bombën ajrore FAB-1500, me peshë 1500 kilogramë.
Rreth sulmit raportoi Brigada e 28-të e Mekanizuar e Forcave të Armatosura të Ukrainës, e cila publikoi edhe një video të ngjarjes, shkruan Euromaidan Press.
Video u regjistrua nga operatorët e dronëve të njësisë R.V. të Batalionit të 3-të Mekanizuar. Në të shihet se si forcat ruse bombardojnë pjesën banimi të qytetit me municion fosforik, armë e cila është reptësisht e ndaluar kundër civilëve sipas së drejtës ndërkombëtare. Menjëherë pas kësaj, e njëjta video tregon edhe goditjen me bombën ajrore FAB-1500.
“Kostyantynivka. Realiteti brutal i qytetit që rusët po e fshijnë nga faqja e dheut”, njoftoi brigada teksa publikoi edhe videon.
“Pilotët tanë nga njësia R.V. e Batalionit të 3-të Mekanizuar regjistruan sulmet ruse me fosfor mbi një lagje banimi. Bëhet fjalë për armë të ndaluar që djegin çdo gjallesë. Menjëherë pas kësaj ndodhi goditja me bombën FAB-1500”, shtuan ata.
Ndryshe, municioni fosforik përmban një përzierje djegëse që digjet në temperatura mbi 800 gradë Celsius dhe përhapet në një sipërfaqe prej disa qindra metrash katrorë.
Plagët e shkaktuara nga kjo armë mund të jenë jashtëzakonisht të rënda dhe të dhimbshme, ose të çojnë në vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme.
Përdorimi i tij kundër civilëve është rreptësisht i ndaluar sipas Protokollit III të Konventës për Armët Konvencionale të Caktuara.


