Rreth 1 700 pallate banimi në kryeqytetin ukrainas, Kiev, vazhdojnë të jenë pa ngrohje pas një sulmi masiv me raketa dhe dronë nga Rusia gjatë kësaj jave, bëri të ditur të dielën kryebashkiaku Vitalii Klitschko. Moska ka intensifikuar ndjeshëm bombardimet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës që nga nisja e pushtimit në vitin 2022.
Të shtunën, Rusia ndërmori një sulm të gjerë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar shpërthime të forta në Kiev gjatë natës dhe duke lënë rreth 1.2 milionë objekte pa energji elektrike në mbarë vendin, në kushte temperaturash nën zero.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se objektivat kryesore të Rusisë janë sektori energjetik, infrastruktura kritike dhe ndërtesat e banimit. Ai tha se vetëm këtë javë Rusia ka lëshuar mbi 1 700 dronë sulmues, më shumë se 1 380 bomba ajrore të drejtuara dhe 69 raketa ndaj Ukrainës.
Zelensky theksoi se çdo sulm masiv ka potencial shkatërrues dhe bëri thirrje për forcimin e mbështetjes ndërkombëtare, ndërsa ndodhej për vizitë në Lituani.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Oleksiy Kuleba njoftoi se numri i ndërtesave pa ngrohje në Kiev ka rënë nga 6 000 në mëngjes në mbi 3 200 në mbrëmje, falë punës së ekipeve teknike. Kryebashkiaku Klitschko shtoi se gjatë 24 orëve të fundit është rikthyer furnizimi me ngrohje për më shumë se 1 600 ndërtesa dhe puna po vijon për rikthimin e plotë të shërbimeve.
Sulmi i madh ndaj Kievit ndodhi në një kohë kur negociatorë nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po diskutonin në Abu Dhabi opsione për përfundimin e luftës. / abcnews.al /


