Rusia sulmon me dronë Ukrainën, 4 të vdekur dhe 12 të plagosur në Kharkiv

schedule10:48 - 4 Prill, 2024

schedule 10:48 - 4 Prill, 2024

Katër njerëz janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur nga një sulm rus me dronë në qytetin ukrainas Harkiv, thanë autoritetet lokale të enjten.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se 20 dronë e sulmuan vendin gjatë natës mes 3 dhe 4 prillit dhe se 11 prej tyre u penguan nga forcat kundërajrore.

Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, shkroi në Telegram se njëri nga ta vrarët ishte banor i një ndërtese 14-kateshe, e cila u godit nga një dron, ndërsa tre të tjerët ishin punëtorë të ekipeve të shpëtimit që u vranë në vendin e ngjarjes nga sulmi i dytë.
Raportohet se tre ambulanca u dëmtuan në sulmin e Harkivit.

Policia raportoi sulme me dronë në qytetet e rajonit të Harkivit, Lozova dhe Zmiv, ku u dëmtuan ndërtesa banimi dhe vetura. Nuk u raportua për viktima.

Më 2 prill, infrastruktura industriale e rajonit të Rusisë, Tatarstan, ishte cak i sulmeve të dyshuara ukrainase me dronë.

Raportohet se në këtë rajon, i cili ndodhet më shumë se 1.200 kilometra larg kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë, po grumbulloheshin dronët e prodhimit iranian, Shahed.

Lideri i Tatarstanit, Rustam Minnikhanov, i paralajmëroi më 3 prill ndërmarrjet lokale se ato duhet ta mbrojnë veten nga sulmet e mundshme ajrore.

“Ju nuk duhet të prisni derisa kundërajrorët të fillojnë punën për zgjidhjen e telasheve tuaja. Ne duhet t’i zgjidhim ato me burimet tona – çdo ndërmarrje, çdo qytezë, çdo qytet”, tha ai.

Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA, shkroi më 3 prill se Rusia mund t’i rrisë sulmet raketore dhe me dronë kundër infrastrukturës civile të Ukrainës, posaçërisht kundër rrjetit energjetik, për t’i bërë “trysni shtesë Ukrainës t’i zhvendosë kundërajrorët larg vijës së frontit”.

Rusia e ka mohuar prej fillimit të pushtimit në shkurt 2022 se i sulmon civilët, por qytetet ukrainase dhe infrastruktura civile janë goditur vazhdimisht nga sulmet raketore dhe me dronë.

Sipas një raporti në shkurt të organizatave ukrainase dhe ndërkombëtare të bamirësisë, së paku 10.500 civilë ukrainas janë vrarë nga “bombardimet e vazhdueshme, minat dhe dronët”, në dy vjetët e fundit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!