Rusia sërish thotë se nuk ka plane për pushtimin e Ukrainës

schedule10:30 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 10:30 - 23 Dhjetor, 2021

Rusia nuk po përgatit pushtim ushtarak të Ukrainës, tha ambasadori rus në Bashkimin Evropian, teksa diplomatët kryesorë pritet të takohen në fillim të vitit të ardhshëm për të diskutuar lidhur me propozimet e sigurisë të paraqitura nga Moska.

Ambasadori rus në BE, Vladimir Chizhov tha se Rusia dëshiron që të mbështesë popujt rusishtfolës që jetojnë në shtete të tjera, por ai shtoi se Moska asnjëherë nuk ka thënë se do të përdorë ushtrinë për ta arritur këtë qëllim.

“Rusia nuk po planifikon ta sulmojë asnjë shtet. Mund të ju siguroj se asnjë ushtar rus nuk është duke u përgatitur për ta pushtuar Ukrainën”, tha Chizhov në një intervistë për gazetën gjermane, Die Welt.

Kremlini ka grumbulluar rreth 100,000 trupa në afërsi të kufirit të Ukrainës, duke rritur shqetësimet e Shteteve të Bashkuara, Kievit, NATO-s dhe vendeve evropiane. Më herët Rusia kishte hedhur poshtë këto shqetësime të Perëndimit, duke argumentuar se ajo është e lirë që të vendosë trupat e saj ku të dojë brenda territorit rus.

Më 22 dhjetor, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se negociatorët rusë dhe amerikanë do të takohen në fillim të vitit të ardhshëm për të diskutuar lidhur me propozimet e sigurisë së Moskës, ku përfshihen kërkesa për ndalimin e zgjerimit të NATO-s nga lindja dhe kufizime për aktivitetet ushtarake të Aleancës në Evropën Lindore./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!