Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të mërkurën se ka rrëzuar dy raketa amerikane ATACMS (Sistemet e Raketave Taktike të Ushtrisë) të lëshuara nga forcat e armatosura të Ukrainës kundër trupave ruse.
Përditësimi i ministrisë nuk përfshin detaje rreth zonës ku u kapën raketat. Megjithatë, mediat ruse theksojnë se kjo është hera e parë që ATACMS rrëzohen.
ATACMS janë raketa balistike me rreze të gjatë që Ukraina i ka blerë së fundmi nga SHBA.
Reuters thekson se nuk është në gjendje të verifikojë raportin e Ministrisë së Mbrojtjes ruse. Deri më tani nuk ka asnjë koment nga Kievi dhe Uashingtoni.
Javën e kaluar, Ukraina njoftoi se kishte përdorur raketa të këtij lloji për herë të parë për të goditur dy aeroporte në zonat e pushtuara nga trupat ruse.