Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi të dielën se një tjetër fshat në Ukrainën jugore ishte pushtuar, ndërsa forcat ruse vazhdojnë avancimin e tyre të ngadaltë në vijën e frontit me ushtrinë ukrainase, e cila po përballet me mungesë të personelit dhe municionit.
“Njësitë e formacionit lindor çliruan komunitetin Zakhirne në rajonin e Zaporizhia dhe zunë pozicione më të favorshme,” tha ministria.
Ushtria ruse ka fituar terren ngadalë por sistematikisht muajt e fundit në Ukrainë, veçanërisht në pjesën lindore, pa ndonjë sukses spektakolar.
Para se të merrte nën kontroll komunitetin Zahirne, Rusia pretendoi se kishte pushtuar tre fshatra të tjerë, në lindje, jug dhe veri-lindje të Ukrainës, javën e kaluar.
Presidenti rus Vladimir Putin tha në fillim të këtij muaji se forcat e tij të armatosura kanë kapur 880 kilometra katrorë territor dhe rreth 50 komunitete në Ukrainë këtë vit.
Që nga 10 maji, operacionet ruse kanë filluar në rajonin e Kharkiv (në veri-lindje), ku disa fshatra u pushtuan përpara se përparimi i forcave të Moskës të ndalohej nga përforcimet e vendosura me ngut nga Kievi.