Forcat ruse pretenduan se kanë marrë kontrollin e një qyteti lindor ukrainas, ku mbrojtja ukrainase është thyer dy javë më parë. Ukraina ende nuk ka komentuar për pretendimin e Rusisë të bërë më 5 maj se ka marrë kontrollin e Oçeretjnes.
Nëse konfirmohet, atëherë ky do të ishte në vazhdën e kthimeve prapa që Ukraina ka bërë në fushëbetejë së fundi, teksa forcat ukrainase, të cilat po luftojnë kundër pushtimit që Rusia nisi më 2022, janë duke u përballur me mungesë të ushtarëve dhe municioneve.
Në buletinin ditor informues, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se trupat nga grupi i komandës qendrore morën nën kontroll qytetin. Megjithatë, kjo ministri nuk dha më shumë detaje.
Në Oçeretjne, trupat ruse arritën të depërtonin përmes vijave të mbrojtjes së Ukrainës, pasi sipas vëzhguesve, Kievi bëri një rotacion të dështuar të ushtarëve, ku përfshiheshin edhe njësi që për një kohë të gjatë kanë qenë aktivë në fushëbetejë.
Që nga 22 prilli, sipas të dhënave, forcat ruse kanë përparuar drejt perëndimit dhe veriut të këtij qyteti.
Muajin e kaluar, Kongresi amerikan miratoi ndihmën ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 60 miliardë dollarësh. Por, do të duhet kohë që armët, municionet, makinat ushtarake dhe pajisjet e tjera të arrijnë në fushëbetejë.
Në Uashington, këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se Rusia pritet që të bëjë përparime të reja “në periudhën e ardhshme”.
Por, më 4 maj, ai tha për Financial Times se Kievi po ashtu do të ketë kapacitete që të “mbajë vijën e frontit dhe të sigurohet që t’iu bëjë ballë sulmeve ruse” gjatë vitit 2024.
Ukraina, sipas tij, “synon të lëvizë drejt rimarrjes së territorit që kanë pushtuar rusët”./rel