Pavarësisht suksesit të vitit të kaluar, duke u bërë vendi i parë në botë që zhvilloi një vaksinë kundër  COVID-19, fushata e vaksinimit në Rusi është  prapa vendeve perëndimore. Që nga mesi i prillit, mbi 1 milion nga 12.7 milion banorë të Moskës, ose rreth 8 përqind, kanë marrë të paktën një dozë, edhe pse fushata filloi në dhjetor.
Kjo përqindje është e ngjashme për Rusinë në tërësi. Gjatë 27 Prillit, vetëm 12.1 milion njerëz kanë marrë të paktën një  dozë dhe vetëm 7.7 milion, ose 5 përqind, janë vaksinuar plotësisht. Kjo e lë Rusinë shumë prapa SHBA-së, ku 43 përqind kanë marrë të paktën një dozë dhe Bashkimin Europian me gati 27 përqind të të vaksinuarve.
Kjo ka ngritur dyshime nëse autoritetet do të arrijnë qëllimin e tyre ambicioz për të vaksinuar më shumë se 30 milion nga 146 milion persona deri në mes të qershorit dhe gati 69 milion deri në gusht.
Analisti Alexander Dragan, i cili po ndjek ritmin e fushatës së vaksinimit  në të gjithë Rusinë, tha javën e kaluar se vendi po vaksinonte 200,000-205,000 persona në ditë. Në mënyrë që të arrihet objektivi i mesit të qershorit, duhet të jetë gati dyfishi i kësaj.
“Ne duhet të fillojmë të vaksinojmë 370,000 persona në ditë, duke filluar nga nesër”, tha Dragan për The Associated Press.
Nevojiten para për vaksina
Për të rritur kërkesën, zyrtarët e Moskës filluan të ofrojnë kupona me vlerë 1,000 rubla (11 euro) për të gjithë personat mbi 60 vjeç që vaksinohen. Disa të moshuar kanë thënë për AP se është e vështirë të regjistrohesh për kuponat.
Autoritetet në Chukotka, përtej ngushticës Bering nga Alaska, u kanë premtuar  të moshuarve 2,000 rubla për t’u vaksinuar, ndërsa rajoni fqinj Magadan ofroi 1,000 rubla. Një teatër në Shën Petersburg ofroi bileta me zbritje për ata që kishin një certifikatë vaksinimi.
Shkalla e vaksinimit në Rusi varet nga disa faktorë, përfshirë furnizimin. Prodhuesit rusë të ilaçeve kanë qenë të ngadaltë për të rritur prodhimin masiv, dhe ka pasur mungesa në mars në shumë rajone.
Deri më tani, janë prodhuar vetëm 28 milion doza nga të tre vaksinat e disponueshme në Rusi, me Sputnik V që përbën shumicën e tyre, dhe vetëm 17.4 milion janë lëshuar në qarkullim pasi kanë kaluar kontrollin e cilësisë.
Konkurenca
Dragan, tha se një shpjegim i mundshëm i hezitimit për tu vaksinuar është se autoritetet se  kanë zbutur situatën e shpërthimit, edhe nëse ky vlerësim mund të jetë i parakohshëm. Me heqjen e shumicës së kufizimeve dhe me lavdërimin e zyrtarëve, jo të gjithë janë të motivuar për t’u vaksinuar.
Ajo që ka ndikuar që një shumicë të mos vaksinohet është fakti se njerëzit besojnë se vaksinat e prodhuara nga vendet e tjera janë të rrezikshme ndërsa ato të prodhuara në Rusi nuk janë. Deri në fund të marsit nuk ka pasur një fushatë të duhur mediatike që promovonte vaksinimet, raporton abcnews.al
Videot në rrjetin kombëtar Channel 1 tregonin vetëm njerëz të famshëm dhe personalitete të tjera publike që flisnin për përvojën e tyre, por nuk tregonin foto apo video të tyre duke u vaksinuar. Thashethemet rreth rreziqeve të pretenduara të vaksinave u rritën më shumë në mediat sociale në dhjetor, kur Rusia filloi administrimin e dozave dhe kanë vazhduar në mënyrë të vazhdueshme që nga ajo kohë, tha antropologia sociale Alexandra Arkhipova.
Thashethemet të kombinuara me faktorë të tjerë – pseudoshkenca në televizionet ruse, problemet e shpërndarjes së vaksinave dhe një  shpërndarje jo e barabartë e vaksinave- ka penguar imunizimin, tha Arkhipova për AP.
Numri i rasteve në Moskë në rritje
Vlassov, ndërkohë, vuri në dukje se shpërthimi në Rusi nuk i ngjan të kaluarës madje ka shenja se po rritet.
“Përafërsisht i njëjti numër i njerëzve po infektohen çdo ditë në Rusi njësoj si muajin e kaluar, në kulmin e shpërthimit,” tha ai, duke shtuar se dyfishi i njerëzve po vdesin çdo ditë në krahasim me një vit më parë.
Deri më tani, më shumë se 109,000 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Gjithashtu janë raportuar  4.7 milion raste. Sipas statistikave qeveritare, numri i rasteve ka qenë i njëjtë në rreth 8,000-9,000 raste në ditë në të gjithë vendin dhe  300-400 viktima çdo ditë.
Por rastet e reja janë rritur në mënyrë të vazhdueshme në Moskë muajin e kaluar, duke tejkaluar 3,000 javën e kaluar për herë të parë që nga janari. Shkalla e infeksionit po rritet në shtatë rajone, tha zv/Kryeministrja Tatyana Golikova në 23 Prill, pa specifikuar se cilat.
Ajo fajësoi “nivelet e pamjaftueshme të vaksinimit” në disa vende. E megjithatë, teprica e vaksinave në Moskë ka tërhequr të huajt që nuk kanë qenë në gjendje të merrnin një vaksinë në vendin e tyre.
Një grup gjermanësh  morën dozën e parë në hotel muajin e kaluar. Përktheu Sonila Backa-abcnews.al