Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla thotë se Rusia po luan me dy porta në Izrael.
Në emisionin “Zonë e Lirë” në ABC News, Kulla u shpreh se e gjithë fuqia ekonomike e Rusisë që ishte përqëndruar në Evropë, tanimë është zhvendosur në vendet arabe.
Sipas Kullës, për herë të parë, kemi përplasje të politikës amerikane me atë izraelite.
“Rusia po luan në Izrael me të dyja portat. Nga një anë përdor brenda Izraelit, ruso-hebraikët, të cilët janë një pushtet shumë i madh edhe në Rusi, lobi hebarik në Moskë është shumë i fuqishëm, por nga ana tjetër janë një faktor elektoral, politik dhe demografik shumë i fortë brenda Izraelit. Netanyahu dhe partia e tij, por edhe ekstremi i djathtë janë shumë të kujdesshëm me Rusinë. Nga ana tjetër luan me Arabët. Rusia Jep dhe merr me Egjiptin, ushtarakisht dhe ekonomikisht, jep dhe merr me Katarin, ushtarakisht dhe ekonomikisht, jep dhe merr me Arabinë Saudite, ushtarakisht dhe ekonomikisht.
Isha në Dubai para disa ditësh, e gjithë fuqia ekonomike e Rusisë që ishte përqëndruar në Evropë, është zhvendosur në vendet arabe. Nëse kemi ushtarakisht dhe politikisht Rusinë në Siri, e kemi në Libi, e kemi edhe në Algjeri, Rusia po luan me dy lloje tavolinash, edhe majtas, edhe djathtas. Kësaj radhe ka ndryshuar Rusia lojë. Unë mendoj që, Putini nuk po luan vetëm, por po luan me aleatët e vet.
Po luhet një shah më i gjerë, për herë të parë kemi një përplasje të politikës amerikane me Izraelin. Nuk ka lidhje Irani me atë që po ndodh në Gaza, po të kishte lidhje Irani, do të ndërhynte Hezbollahu. Janë arabët mbrapa, kanë ndryshuar bosht, po shohin interesat e veta të mirëfillta. Lufta në Gaza i jep fund përfundimisht pranverës arabe. Me Izraelin ulemi kur të njohim shtetin e Palestinës”, theksoi ai./abcnews.al