Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Embargoja e BE-së për naftën ruse, e dakordësuar më 31 maj, është një fillim që nuk premton shumë. Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, numri i dërgesave të naftës ruse në bllok ka shënuar rritje.
Ajo u rrit me 14% midis janarit dhe prillit, nga 750,000 në 857,000 fuçi në ditë, sipas Argus Media. Embargoja vlen vetëm për naftën e papërpunuar dhe produktet e naftës që dërgohen nga deti, që mbulon vetëm 75% të importeve nga Rusia.
Nafta e dërguar nëpërmjet tubacionit për një pjesë të vogël të vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore është përjashtuar përkohësisht – një koncesion për Hungarinë, e cila bllokoi marrëveshjen, raporton abcnews.al.
Rafineritë në këto vende po blejnë naftën e lirë ruse që shumica e blerësve perëndimorë po i shmangen. Tubacioni Druzhba po furnizon rafineritë në Republikën Çeke, Gjermani, Hungari, Poloni dhe Sllovaki.
Gjermania dhe Polonia, dy përfituesit më të mëdhenj, kanë rënë dakord të mbyllin tubacionet deri në fund të vitit. Më pas, embargoja do të përfshijë rreth 90% të naftës ruse. Është e paqartë se kur do të ndërpritet pjesa e mbetur.
Vendet e tjera, pa dalje në det, thonë se do të ishte e kushtueshme dhe e vështirë kalimi i naftës së papërpunuar nëpërmjet burimeve të tjera. Sllovakia importoi nga Rusia 92% të naftës së saj në nëntor 2021; Hungaria ndërkohë importon 65% të naftës së saj nga Rusia.
Të dy vendet importojnë pothuajse të gjithë naftën përmes tubacionit Druzhba. Gjermania, përfituesi kryesor i gazsjellësit, është i vetmi nga këto vende që ka reduktuar importet që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.Në janar eksportoi gjysmën e naftës nëpërmjet Druzhba; deri në prill, vetëm një e treta. Hungaria dhe Polonia – pavarësisht zotimit të saj për të pakësuar importet ruse kanë bërë të kundërtën.
Sipas Argus Media, rafineritë që importojnë përmes tubacionit e blenë naftën me një zbritje deri në 40 dollarë për fuçi në krahasim me naftën e Detit të Veriut muajin e kaluar. Kjo do të thotë se qeveritë do të jenë të detyruar të bëjnë diçka që nuk dëshirojnë ta bëjnë.
Republika Çeke dhe Sllovakia thonë se do të mbështesin ndalimin e importeve përmes Druzhba, por të paktën pas 2-3 vitesh. Hungaria është një pengesë edhe më e madhe, sipas mol Group, një kompani hungareze e naftës dhe gazit, duke thënë se mund të zëvendësonte naftën ruse duke u mbështetur në një tubacion nga Kroacia.
Por tani ka deklaruar se do të duhen deri në 4 vite për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, duket se nuk ka gjasa të ndryshojë mendim për ndalimin e importeve të naftës ruse.
Ai pretendon se kjo do të ishte si lëshimi i një “bombë atomike” në ekonominë e vendit të tij. Udhëheqësit e BE këmbëngulin se përjashtimi nga sanksionet të tubacionit të Druzhbës do të rishikohet.
Ndërkohë, gazsjellësi duket se do të testojë marrëdhëniet europiane.
/abcnews.al