Rusia planifikon ndryshimin e kufijve në Baltik? Mediat ruse zbulojnë planet e Moskës në ujërat e Lituanisë dhe Finlandës

schedule14:05 - 22 Maj, 2024

schedule 14:05 - 22 Maj, 2024

Autoritetet ruse kanë vendosur të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme kufijtë detarë të vendit me Lituaninë dhe Finlandën në Detin Baltik. Në bazë të dokumentit të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, Rusia ka ndërmend të shpallë si të vetat një pjesë të ujërave në lindje të gjirit të Finlandës e pranë qyteteve të Baltiysk dhe Zelenogradsk në rajonin e Kaliningradit.

Kremlini tha se propozimi nuk kishte prapaskenë politike, por se tensionet në rajon janë në rritje.

“Nuk ka asgjë politike këtu edhe pse situata politika ka ndryshuar shumë. Mund të shihni se sa janë rritur tensionet dhe ku ka shkuar niveli i konfrontimit në rajonin baltik”, tha Dmitry Peskov.

Lituania reagoi me shqetësim duke e cilësuar lëvizjen si një përshkallëzim të qartë kundër NATO dhe BE. Ministri i jashtëm tha se nevojitej një kundërpërgjigje e përshtatshme dhe e vendosur.

Ndërsa autoritetet finlandeze thanë se po hetonin informacionet dhe se do të vepronin me qetësi bazuar në fakte.

Sakaq, kryeministrja estoneze Kaja Kallas akuzoi Rusinë se po zhvillonte një “luftë në hije” kundër Perëndimit përmes akteve të sabotazhit, spiunazhit apo sulmeve kibernetike.

Shtetet pranë kufijve me Rusinë të tilla si Estonia, Letonia, Lituania, Finlanda dhe Polonia po rrisin me shpejtësi kapacitetet mbrojtëse mes frikës për sulme të mundshme nga Moska.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!