Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka mohuar deklaratat e ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov se “Ballkani i Hapur” është mbështetur nga Moska.
Në konferencën e përbashkët në samitin e Ohrit, Vuçiç kujtoi se ideja e kësaj nisme ishte e tij, ish-kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe Edi Ramës.
Lexo edhe: Rusia, kumbarë e Ballkanit të Hapur? Rama: Lavrovi do të ishte këtu nëse do ta mbështeste nismën
Presidenti serb theksoi se ai nuk turpërohet nga marrëdhëniet e mira që kanë me Rusinë, por përjashtoi çdo ndikim të mundshëm të Kremlinit në nismën “Open Balkan”.
“Në takimin e parë ka qenë Zorani, unë dhe Rama. Nuk ka qenë asnjë ministër i jashtëm. Nuk kam turp për politikën që bën Serbia. Nuk iu turpërohem marrëdhënieve të mira që kemi me Federatën Ruse. Por asnjë tjetër përveç nesh s’kishte asnjë ide. Kjo është ideja jonë. Ardhmëria është në bashkëpunim.
Kjo është ideja e njerëzve që fermerët do të jenë shumë më të kënaqur sepse kanë ku të eksportojnë. Të kenë shumë më tepër qytetarë serb që të vinë në bregdetin shqiptar. Të mendojmë si ta bëjmë diçka të përbashkët. Ideja është e Zoran Zaev, Edi Ramës dhe e imja. Askush tjetër nuk ka marrë pjesë në këtë ide”, tha Vuçiç. g.v/abcnews.al