Rusia nuk kursehet, sulmon edhe spitalin e fëmijëve në Kiev

schedule13:26 - 8 Korrik, 2024

schedule 13:26 - 8 Korrik, 2024

Autoritetet ukrainase thanë se të paktën 20 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi “masiv” me raketa të kryer nga Rusia në Kiev dhe qytete të tjera. Gjatë sulmeve të 8 korrikut u godit edhe spitali i fëmijëve në Kiev, si dhe ndërtesa banimi dhe infrastrukturë tjetër në mbarë vendin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “mbi 40 raketa të llojeve të ndryshme” shënjestruan Kievin, Dnipron, Krijvi Rihun në qendër të Ukrainës dhe Kramaorskun dhe Sllovjanskun në rajonin lindor të Donjeckut.

“Të gjitha shërbimet janë të angazhuara për të shpëtuar sa më shumë njerëz”, tha ai përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, i tha agjencisë Reuters se ky ishte “një prej sulmeve më të këqija” në kryeqytetin ukrainas në 28 muaj luftë në shkallë të plotë.

Një video e incizuar nga Radio Evropa e Lirë në spitalin e fëmijëve, Ohmadyt, në Kiev, shfaqi radhë të njerëzve që po ndihmonin të pastronin vendin nga rrënojat e ndërtesës.

“Ka njerëz nën rrënoja, numri i saktë i viktimave nuk dihet”, tha Zelensky në rrjetet sociale, duke thënë se spitali Ohmadyt “është një prej spitaleve më të rëndësishme të fëmijëve, jo vetëm në Kiev, por po ashtu në Evropë”.

Moska – që ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022 – vazhdimisht ka mohuar se shënjestron ndërtesat e banimit, shkollat, spitalet dhe infrastrukturën tjetër civile, pavarësisht dëshmive që thonë të kundërtën.

Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se numri i personave që janë konfirmuar të vrarë është të paktën 20, ndërkaq 50 të tjerë janë plagosur në sulmet e 8 korriut.

Forcat ajrore të Ukrainës shpallën gatishmëri ajrore në mbarë Ukrainën para mesditës së 8 korrikut, pas kërcënimit të dyshuar për sulme me raketa balistike, përderisa thanë se po luftojnë që të zmbrapsin sulmet ndaj Kievit.

Shpërthimet në Kiev u dëgjuan rreth orës 10:30 sipas kohës lokale, teksa administrata ushtarake e qytetit u kërkoi qytetarëve të qëndronin në strehimore derisa të ndalej alarmi për sulme ajrore.

Ushtria tha se më pas u lëshua alarmi për sulme në mbarë vendin.

Sulmet gjatë ditës në Ukrainë janë të rralla, edhe pse Rusia që gjashtë muaj ka intensifikuar bombardimin e qendrave të banuara të Ukrainës dhe ka shënjestruar infrastrukturën e energjisë.

Forcat ukrainase thanë po ashtu se gjatë natës kanë rrëzuar të paktën tri raketa lundruese. Sipas komandantit të forcave ajrore, gjeneralit Mykola Oleshchuk, raketat u rrëzuan në rajonet e Zhitomirit dhe Çerkasit.

Në Krijvi Rih dhe në Dnipropetrovsk autoritetet raportuan për të paktën dhjetë të vrarë dhe 30 të plagosur gjatë një “sulmi masiv ajror të armikut”.

Në verilindje, kryetri i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se dy gra u hospitalizuan pasi u plagosën gjatë granatimeve ruse në tri ndërtesa banimi.

Më vonë gjatë 8 korrikut, guvernatori i Harkivit tha se të paktën pesë persona u vranë në rajon.

Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase raportoi se luftimet në terren po vazhdojnë, përderisa Rusia po vazhdon ofensivën e saj në rajonin e Harkivit. Sipas ushtrisë ukrainase, duket se Rusia po kryen ofensivë edhe në Pokrovsk të Donjeckut, ku të paktën tre persona janë vrarë si pasojë e sulmeve me raketa.

Ushtria tha se trupat po tentojnë të “stabilizojnë” situatën për të parandaluar forcat ruse që të avancojnë më shumë në territorin ukrainas në këtë zonë. /rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!