Kremlini ka deklaruar se Rusia nuk sheh asnjë arsye për të zgjatur marrëveshjen e vitit të kaluar të Iniciativës së Grurit të Detit të Zi, e cila skadon në më pak se dy javë.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, Moska po bën “përpjekjet e nevojshme në përputhje të plotë me rregullat e procedurës, në mënyrë që të gjitha anijet që marrin pjesë në të të mund të përfundojnë me sukses misionin e tyre dhe të largohen nga Deti i Zi” para 17 korrikut, kur edhe skadon marrëveshja.
Duke shpjeguar vendimin, shërbimi diplomatik tha se qëllimi i marrëveshjes është shtrembëruar, pasi në vend të eksporteve në Afrikë ushqimi transportohej kryesisht në “vendet e ushqyera mirë” dhe nuk ka pasur asnjë përparim në pjesën ruse të marrëveshjes.
Ministria ruse tha se shpërthimi i tubacionit të amoniakut u “projektua sipas modelit të shpërthimit të tubacioneve të gazit të Rrjedhës Veriore” shtatorin e kaluar, duke lënë të kuptohet se të njëjtat forca qëndrojnë pas të dy akteve të sabotimit.
Korrikun e vitit të kaluar, Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës në Ukrainë në muajin shkurt të vitit të kaluar.
Shtatorin e vitit të kaluar, shpërthime nënujore shënjestruan tubacionet e Rrjedhës Veriore, të cilat dërgonin gaz në Gjermani dhe në rajonin evropian përmes Detit Baltik.
Moska akuzon Perëndimin, veçanërisht SHBA-në, për përfshirje të drejtpërdrejtë në shpërthime. Ajo bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të udhëhequr nga OKB-ja për sabotimin e mundshëm, por kërkesa u refuzua.
Raportet e mediave amerikane kanë sugjeruar se Washingtoni ishte në dijeni të një komploti ukrainas për të hedhur në erë tubacionet e gazit, por Kievi ka mohuar ndonjë përfshirje.
Tubacioni i amoniakut ‘Togliatti-Odesa’ u përdor për transportimin e furnizimeve të amoniakut nga qyteti rus Togliatti në portin ukrainas Odesa, ku u ngarkua në anije për dërgesa të mëtejshme në të gjithë botën. Ky tubacion po ashtu u hodh në erë më 7 qershor, me Rusinë dhe Ukrainën që shkëmbyen akuza të ndërsjella.
Moska pretendon se forcat e armatosura të Kievit minuan dhe shpërthyen infrastrukturën pasi zyrtarët e OKB-së rritën presionin ndaj Ukrainës duke kërkuar rifillimin e furnizimeve me plehra bujqësore ruse.
Ndërkohë, guvernatori i rajonit verilindor ukrainas Kharkiv, Oleh Synyehubov, tha se bombardimet ruse të rajonit shkaktuar rrjedhjen.