Rusia: Nuk do të ketë takim Lavrov-Blinken në samitin e OSBE-së në Shkup

schedule21:58 - 27 Nëntor, 2023

schedule 21:58 - 27 Nëntor, 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk do të takohen gjatë samitit të kësaj jave në Maqedoninë e Veriut, raportoi agjencia ruse e lajmeve, TASS të hënën, duke e cituar zëvendësministrin e Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.

Uashingtoni nuk ka kërkuar takim dhe “nuk do të ketë takim”, tha Ryabkov, shkruan REL.

Të hënën më herët, Lavrov tha se do të marrë pjesë në Këshillin Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që do mbahet në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, nëse Bullgaria e hap hapësirën e saj ajrore për fluturimet ruse.

Po ashtu, Lavrov tha se disa vende perëndimore kishin kërkuar tashmë takime me të.

“Nëse dikush na afrohet, ne kurrë nuk ikim apo fshihemi”, u shpreh shefi i diplomacisë ruse.

Paraprakisht, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të heqë ndalesën e fluturimit të avionit rus që do të lejonte pjesëmarrjen e shefit të diplomacisë ruse Lavrov në samitin e OSBE-së në Shkup.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!