Rusia kërcënon Perëndimin në rast se i preken asetet e bllokuara

schedule16:55 - 28 Prill, 2024

schedule 16:55 - 28 Prill, 2024

Zyrtarët rusë kërcënuan Perëndimin të dielën me një përgjigje “të ashpër” në rast se asetet e ngrira ruse konfiskohen, duke premtuar beteja ligjore “të pafundme” dhe masa të rrepta, raporton agjencia “Reuters”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse,  Maria Zakharova tha se Rusia nuk do të dorëzojë kurrë territoret e marra nga Ukraina në këmbim të kthimit të aseteve të ngrira.

“Atdheu ynë nuk është në shitje”,  shkroi Zakharova në aplikacionin e mesazheve Telegram. “Një pasuri ruse duhet të mbetet e paprekur, sepse përndryshe do të ketë një përgjigje të ashpër ndaj vjedhjes perëndimore. Shumë në Perëndim e kanë kuptuar tashmë këtë. Fatkeqësisht, jo të gjithë”.

Në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ndaluan transaksionet me Bankën Qendrore të Rusisë dhe Ministrinë e Financave dhe bllokuan rreth 300 miliardë dollarë asete sovrane ruse në Perëndim, shumica e të cilave janë në institucionet financiare evropiane dhe jo amerikane.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov,  ka theksuar në një koment të veçantë se kishte ende shumë para perëndimore në Rusi të cilat mund të shënjestroheshin nga kundërmasat e Moskës.

“Perspektivat për sfida ligjore (kundër konfiskimit të aseteve ruse) do të jenë të hapura”,  tha ai. “Rusia do të përfitojë prej tyre dhe do të mbrojë pafundësisht interesat e saj”, ka thënë Peskov.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!