Rusia gjen blerës të rinj të naftës, por me kosto të lartë

schedule16:41 - 10 Maj, 2023

schedule 16:41 - 10 Maj, 2023

Dërgesat e naftës së papërpunuar ruse kanë arritur kuotat më të larta që nga fillimi vitit 2022, sipas një raporti nga organizata Bloomberg, pavarësisht sanksioneve perëndimore të vendosura pas agresionit të Kremlinit ndaj Ukrainës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Rusia ka gjetur blerës të rinj jashtë Evropës, por me fitime shumë të vogla.

Rusia tregtoi mesatarisht 3.66 milionë fuçi naftë bruto në ditë, në katër javët deri më 5 maj, sipas shifrave të përpiluara nga organizata Bloomberg. Ky është niveli më i lartë që nga fillimi i vitit 2022. Pothuajse e gjithë nafta po dërgohet në Kinë dhe Indi dhe sasi më të vogla drejt Egjiptit dhe Turqisë.

Përpara agresionit në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Rusia i shiste Bashkimin Evropian 1.5 milionë fuçi naftë në ditë. Por vendet evropiane i kanë ulur blerjet në pothuajse zero. Vetëm Bullgaria importon naftë ruse bruto.

“Importet e naftës ruse nga BE-ja janë zëvendësuar plotësisht nga importet egjiptiane dhe indiane. Rusia ka gjetur blerës të tjerë dhe nga ana tjetër BE-ja, ka kërkuar burime të tjera dhe gjithashtu i ka gjetur”, thotë për Zërin e Amerikës Stefan Legge me Universitetin St. Gallen në Zvicër.

Pavarësisht gjetjes së blerësve të rinj, të ardhurat e Rusisë nga nafta janë tkurrur me dy të tretat. Sanksionet perëndimore dhe kufiri i çmimit prej gjashtëdhjetë dollarësh për fuçi për naftën ruse po i tkurrin fitimet. Kremlini tha javën e kaluar se të ardhurat nga eksporti ranë 67 për qind muajin e kaluar, në 6.4 miliardë dollarë.

Të dhënat tregojnë se Rusia po vuan. Ata kanë gjetur blerës të rinj të naftës, por me një çmim më të ulët. Nafta ruse tregtohet me zbritje në krahasim me llojet e tjera të naftës. Blerësit e rinj nuk janë aq tërheqës sa të vjetrit”, thotë Stefan Legge me Universitetin St. Gallen.

Blerësit e rinj janë gjithashtu shumë më larg, me kohë mesatare transporti prej 16 deri në 18 ditë, krahasuar me katër deri në gjashtë ditë për dërgesat e para luftës në fqinjët evropianë të Rusisë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Ka kosto negative dhe çmimet në përgjithësi do të rriten. Po ashtu sjell dëme mjedisore kur flitet për ndotjet e shkaktuara nga dioksidi i karbonit. Sipas llogarive të Putinit, vendet perëndimore nuk do të ishin të gatshme t’i përballonin këto kosto. Por kur ka kaluar më shumë se një vit, vendet perëndimore janë të gatshme të pranojnë një pjesë të kostos”, thotë Stefan Legge me Universitetin St. Gallen.

Perëndimi po përpiqet të bindë aleatët si India që të importojnë më pak naftë ruse.

“Sigurisht, ato janë vende sovrane dhe kanë interesat e tyre. Por perëndimi synon që edhe këtë alternativë të dytë t’ia bëjë sa më të vështirë Rusisë. Kjo do të ketë sukses të kufizuar, siç na tregon historia dhe analizat e sotme ekonomike”, thotë zoti Legge.

Analistët thonë se një pjesë e naftës ruse ende ka të ngjarë të hyjë në tregjet evropiane. Nafta bruto është e vështirë të gjurmohet pasi mund të përzihet lehtësisht me dërgesat e tjera në vendet e tranzitit, ose në det. Kompleksiteti i kompanive të transportit dhe identifikimi i anijeve e bën edhe më të vështirë zbatimin e sanksioneve./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!