Rusia drejt pushtimit të Ukrainës, Blinken telefonon Lavrovin para vizitës në Kiev

schedule16:16 - 18 Janar, 2022

schedule 16:16 - 18 Janar, 2022

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të vizitojë të mërkurën Ukrainën. Vizita vjen në një kohë kur bisedimet e javës së kaluar me Moskën kanë arritur në një ngërç, si dhe mes shqetësimeve të Uashingtonit, se Rusia po përgatitet të sulmojë Ukrainën.

Departamenti i Shtetit njoftoi sot se kryediplomati amerikan do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba.

Ndërkohë Sekretari Blinken zhvilloi një bisedë telefonike sot me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov. Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhej se zoti Blinken theksoi rëndësinë e vazhdimit të një rruge diplomatike për të ulur tensionet lidhur me shtimin e pranisë ushtarake ruse në kufi me Ukrainën.

Sekretari Blinken përsëriti angazhimin e palëkundur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe nënvizoi se çdo diskutim lidhur me sigurinë evropiane duhet të përfshijë aleatët e NATO-s dhe partnerët evropianë, përfshirë Ukrainën.

Pas vizitës në Kiev zoti Blinken do të udhëtojë drejt Berlinit për një takim me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, që do të pasohet nga një takim i Katërshes Transatlantike, një format që përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Zoti Blinken do të: “diskutojë angazhimet e fundit diplomatike me Rusinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të penguar agresionin e mëtejshëm rus kundër Ukrainës, duke përfshirë gatishmërinë e aleatëve dhe partnerëve për të vendosur sanksine të ashpra me kosto të rënda ekonomike ndaj Rusisë”, thuhej në deklaratë e DASH-it.

Ndërkohë të hënën një delegacion ligjvënësish amerikanë vizitoi Kievin, dëshmi e mbështetjes për Ukrainën.

Senatorja demokrate Amy Klobuchar, i tha Shërbimit Ukrainas të Zërit të Amerikës, se pjesë e delegacionit janë demokratë dhe republikanë me pikëpamje shumë të ndryshme politike, por që mbështesin Ukrainën. Ajo tha se nëse Vladimir Putin bën një zgjedhje të pabesë dhe antidemokratike, duke sulmuar Ukraninën, do të përballet me sanksione të ashpra e të menjëhershme.

Nga ana e tij Senatori republikan Kevin Cramer tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të qendrojnë duarkryq nëse ndodh diçka. Por ai shtoi se Uashingtoni po kërkon një zgjidhje për të shmangur konfliktin.

Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Moskën se do të përballet me pasoja të forta ekonomike nëse sulmon fqinjin e saj. Rusia, e cila ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në kufi me Ukrainën ka mohuar se po planifikon ndonjë sulm. /VOA/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!