Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar se Rusia do të nisë prodhimin masiv të raketave të reja Oreshnik, me të cilat sulmoi Ukrainën.
Njoftimi erdhi pasi Putin u takua në Kremlin me udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes, kompleksin ushtarak-industrial dhe prodhuesit e raketave.
Sipas presidentit rus, nuk ka asnjë lloj mbrojtjeje ajrore në botë, që mund ta ndalojë raketën.
Putin i përshkroi testet e raketës si të suksesshme dhe përgëzoi prodhuesit , duke vënë në dukje se Rusia do të vazhdojë me testimin e tyre, në varësi të kërcënimeve për sigurinë e saj.
Komandanti i Forcave Raketore Strategjike të Rusisë, Sergei Karakayev deklaroi se raketa balistike ndërkontinentale Oreshnik mund të godasë objektiva në të gjithë Evropën.
Më 21 nëntor Putin tha se ai kishte urdhëruar një sulm me raketën e re, në përgjigje të përdorimit të raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina, për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi përdorimin e raketës së re në qytetin lindor të Dnipro si një përshkallëzim të rëndë.
Por pavarësisht përdorimit të armës së re nga Moska, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë janë zotuar se nuk do ta ndalin mbështetjen e tyre për Kievin.
/abcnews.al/