Ndërsa kostot e energjisë në Europë po shënojnë rritje, Rusia po djeg sasi të mëdha të gazir natyror, sipas BBC-së. Sipas ekspertëve, gazi do të ishte eksportuar më parë në Gjermani. Ata thonë se uzina afër kufirit me Finlandën, po djeg gaz me vlerë rreth 10 milionë dollarë çdo ditë.
Shkencëtarët janë të shqetësuar për vëllimet e mëdha të dioksidit të karbonit dhe blozës që po krijon, të cilat mund të përkeqësojnë shkrirjen e akullit të Arktikut. Lajmërimi i parë erdhi nga qytetarët finlandezë mbi kufirin aty pranë, të cilët vunë re një flakë të madhe në horizont në fillim të kësaj vere.
Portovaya ndodhet afër një stacioni kompresori në fillim të tubacionit Nordstream 1, i cili transporton gaz në Gjermani. Furnizimet përmes tubacionit janë kufizuar që nga mesi i korrikut. Rusët fajësojnë çështjet teknike për kufizimin. Gjermania thotë se eshte thjesht një veprim politik pas pushtimit rus të Ukrainës.
Por që nga qershori, studiuesit kanë vënë re një rritje të konsiderueshme të nxehtësisë që buron nga objekti – që mendohet të jetë nga djegia e gazit natyror. Ndërsa djegia e gazit është e zakonshme në fabrikat e përpunimit, zakonisht bëhet për arsye teknike ose sigurie por shkalla e kësaj djegieje është e madhe.
Mark Davis, CEO i Capterio, një kompani që është e përfshirë në gjetjen e zgjidhjeve për djegien gazit tha kjo nuk është e rastësishme dhe ka më shumë gjasa të jetë një vendim i qëllimshëm i marrë për arsye operacionale, raporton abcnews.al.
“Operatorët shpesh hezitojnë të mbyllin objektet nga frika se mund të jenë teknikisht të vështira ose të kushtueshme për të rifilluar, dhe ndoshta është rasti këtu,” tha ai për BBC-në.
Kompania ruse energjetike Gazprom mund të ketë synuar ta përdorë atë gaz për të prodhuar LNG në centralin e ri, por mund të ketë pasur probleme me trajtimin e tij dhe opsioni më i sigurt është djegia e tij. Mund të jetë gjithashtu rezultat i embargos tregtare të Europës me Rusinë në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.
Gazprom – gjiganti energjetik i kontrolluar nga shteti rus që zotëron centralin -nuk i është përgjigjur kërkesave për koment. Shpenzimet financiare dhe mjedisore rriten çdo ditë që gazi vazhdon të digjet, thonë shkencëtarët.
Çmimet e energjisë në të gjithë botën u rritën ndjeshëm pasi u hoqën bllokimet për Covid dhe ekonomitë u kthyen në normalitet. Shumë vende të punës, industrisë papritmas patën nevojë për më shumë energji në të njëjtën kohë, duke bërë presione të paprecedentë mbi furnitorët.
Çmimet u rritën sërish në shkurt të këtij viti, pas pushtimit rus të Ukrainës. Qeveritë europiane kërkuan mënyra për të importuar më pak energji nga Rusia, e cila më parë kishte furnizuar 40% të gazit.
Çmimet për burimet alternative të gazit u rritën gjithashtu, dhe disa vende të BE-së – si Gjermania dhe Spanja tani po marrin masa për kursimin e energjisë.
/abcnews.al