Rusia dhe Ukraina ndërmarrin sulme të ndërsjella me dronë

schedule15:21 - 16 Tetor, 2024

schedule 15:21 - 16 Tetor, 2024

Rusia ndërmori një sulm me dronë ndaj Kievit mbrëmjen e së martës, thanë zyrtarët e lartë në kryeqytetin ukrainas.

“Qëndroni në strehimore”, shkroi kryebashkiaku Vitali Klitschko në aplikacionin e mesazheve Telegram. Ai tha se dronët po fluturonin drejt lagjes së madhe Troieshchyna në periferi të Kievit.

Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit tha në rrjetin Telegram se njësitë e mbrojtjes ajrore ishin angazhuar në zmbrapsjen e sulmit. Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur të dhëna për dëme apo lëndime nga sulmi rus me dronë. Alarmi për sulme ajrore ruse u dha për Kievin, rajonet përreth dhe gjysmën lindore të Ukrainës.

Ndërkohë, dronët ukrainas ndërmorën një seri sulmesh të martën në rajonin kufitar jugor Belgorod të Rusisë, duke shkaktuar tetë të plagosur dhe dëmtuar automjete dhe prona, tha guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov.

Guvernatori Gladkov tha në aplikacionin e mesazheve Telegram se një dron goditi një autobus në lëvizje në fshatin Oktyabrsky, afër kufirit me Ukrainën, duke plagosur tetë persona, përfshirë katër të mitur.

Ai tha se sulmet me dronë vazhduan gjatë mbrëmjes duke goditur objekte tregtare dhe infrastrukturën në dy fshatra të tjera pranë kufirit. Nuk ka njoftime për të lënduar.

Për muaj me radhë forcat ukrainase kanë goditur objektiva brenda kufirit rus, ndërsa në muajin gusht ndërmorën një inkursion masiv në rajonin e Kurskut, duke marrë zona të mëdha të territorit. Zyrtarët në Moskë thanë se ushtria ruse kishte rimarrë disa fshatra në rajon./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!