Rusia dhe Egjipti luajnë për kualifikimin

schedule17:48 - 19 Qershor, 2018

schedule 17:48 - 19 Qershor, 2018

Rusia dhe Egjipti luajnë ndeshjen e dytë në Kupën e Botës, në orën 20:00 në Shën Peterburg. Mohamed Salah pritet të jetë gati për egjiptianët.

Edhe vendasit duhet të udhëtojnë. Rusia fluturoi drejt Shën Peterburgut, ku sonte luan ndaj Egjiptit, në ndeshjen e dytë të Kupës së Botës. Skuadra vendase është në pozitë të mirë pas fitores 5-0 ndaj Arabisë Saudite, ndonëse nuk ka asnjë siguri për kualifikimin.

Nëse triumfon përsëri, kalon në turin e dytë, por trajneri Çerçesov duhet të zgjidhë dy probleme. Së pari, dëmtimet në ekipin e tij, dhe së dyti mbulimin e Mohamed Salahut që pritet të luajë.

“Përgatitjet tona kanë vazhduar, sipas planit. Nuk kemi hasur asnjë problem dhe skuadra është e bashkuar, me synim fitoren e ndeshjes. Do të jemi besnikë të lojës sonë, edhe pse do të ketë ndonjë ndryshim në krahasim me takimin e parë. Nuk do të kemi Xhagojevin e dëmtuar, por kemi Çerishevin dhe Dzuban si alternativa. Nuk dua të flas për Salahun sepse nuk dua të flas për lojtarë të veçantë. Egjipti është i fortë, në çdo rast”.

Salah mori nga skuadra egjiptiane një tortë të madhe si dhuratë për ditëlindje. Po ashtu, ai u bashkua për herë të parë me ekipin në stërvitje. Trajneri egjiptian Cuper, ndërkaq duhet të evitojë humbjen, që do të ishte eleminim.

Hector Cuper: “Nuk duam që ta mbyllim këtu udhëtimin tonë në Botëror, ndaj duam që të fitojmë tri pikët. Salah është në formë të mirë, ndonëse do të duhet të bëjmë një provë të fundit. Gjithsesi, sipas mendimit tim, është gati për të luajtur, dhe është shumë i rëndësishëm për ne. Nuk besoj, sidoqoftë, se Rusia do të mendojë vetëm për Salahun, por për gjithë ekipin tonë”.

Një opinion për Salahun dhe për ndeshjen edhe nga analisti Mourinho.

Jose Mourinho: “Kjo është ndeshja që do të përcaktojë se kush do të kualifikohet për në raundin tjetër. Kjo sepse Uruguaji është një nivel tjetër, nga përvoja dhe mentaliteti. Rusia duhet të ndalojë Salahun sepse Salah bën diferencën. Rusia duhet të imponojë lojën e saj fizike, si një nga avantazhet e saj në këtë ndeshje”./abcnews.al