Rusia dëbon dy punonjës të ambasadës amerikane në Moskë

schedule15:19 - 14 Shtator, 2023

schedule 15:19 - 14 Shtator, 2023

Rusia deklaroi të enjten se do të dëbojë dy diplomatë amerikanë që i akuzoi se punonin me një shtetas rus, ky i fundit i akuzuar për bashkëpunim me një shtet të huaj.

Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë se kishte thirrur të dërguarën e SHBA-së, Lynne Tracy dhe i tha asaj se sekretari i parë i ambasadës, Jeffrey Sillin dhe sekretari i dytë, David Bernstein duhet të largohen nga Rusia brenda shtatë ditëve, shkruan Reuters.

“Personat e përmendur kanë kryer veprimtari të paligjshme, duke mbajtur kontakte me shtetasin rus R. Shonov, i akuzuar për “bashkëpunim konfidencial” me një shtet të huaj”, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Robert Shonov, një shtetas rus, ishte i punësuar nga Konsullata e Përgjithshme e SHBA në qytetin lindor rus të Vladivostok për më shumë se 25 vjet, derisa Rusia në vitin 2021 urdhëroi ndërprerjen e stafit lokal të misionit amerikan.

Shtetet e Bashkuara në gusht akuzuan Moskën për përpjekje për të frikësuar punonjësit amerikanë pasi media shtetërore ruse raportoi se Shonov ishte akuzuar nga shërbimet e sigurisë për mbledhjen e informacionit mbi luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera për Uashingtonin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!