Rusia cilëson kanalin e pavarur Dojd “të padëshiruar”, abonentët rrezikojnë burgim

schedule18:09 - 25 Korrik, 2023

schedule 18:09 - 25 Korrik, 2023

Gjykata ruse e ka cilësuar “të padëshirueshëm” kanalin e pavarur televiziv Dojd, duke i hapur rrugën ndjekjes penale të gazetarëve të tij, por edhe të abonentëve dhe donatorëve të tij.

Vendimi shihet si një episod tjetër i represionit mediatik në Rusi.

Dojd (në rusisht do të thotë “shi”) u themelua në vitin 2010 dhe ishte kanali kryesor i opozitës në Rusi. Që nga viti 2014, për shkak të zërit të tij të pavarur dhe reportazheve që transmeton, ai është margjinalizuar në platformat e TV me pagesë.

Sinjali i tij u bllokua më 1 mars 2022, disa ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, të cilin gazetarët e tij e dënuan. Kështu, u vendos në Letoni, por dhjetorin e kaluar autoriteti rregullator lokal e bllokoi, duke e akuzuar atë për mbështetjen e Moskës. Vendimi u konsiderua “i padrejtë dhe i paarsyeshëm” nga Dojd, i cili tani transmeton programin e tij të abonimit nga Holanda.

Prokuroria ruse ka justifikuar sot vendimin për ndalimin e ritransmetimit të kanalit për shkak të “shkeljes sistematike të ligjeve” dhe faktit se ai punëson punëtorë që janë etiketuar si “agjentë të huaj” në Rusi. Kanali “transmetonte materiale të organizatave ekstremiste”, si Fondi Kundër Korrupsionit (FBK), organizata e disidentit Alexei Navalny e cila u mbyll në vitin 2021 si “ekstremiste”.

Pas vendimit të sotëm, sponsorët dhe abonentët rusë të kanalit kërcënohen me ndjekje penale. “Siguria e shikuesve tanë është gjëja më e rëndësishme për ne”, tha Dojd në një deklaratë të postuar në Telegram. Për këtë arsye, po ndalon abonimet për qytetarët rusë dhe nuk do të pranojë më sponsorizime prej tyre, sepse “nëse jeton në Rusi, është e rrezikshme”.

Në Rusi, përfshirja në aktivitetin mediatik të konsideruar “të padëshiruar” dënohet me 4 vjet burg për gazetarët dhe deri në 6 vjet për organizatorët. Shumë media të pavarura ruse u detyruan të mbyllen ose të largohen nga vendi pas pushtimit të Ukrainës dhe miratimit të ligjeve që ndalojnë çdo kritikë. Në fund të janarit, uebsajti i pavarur Meduza u cilësua gjithashtu “i padëshiruar”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!