Rusia arreston një koreano-jugor nën akuzën e spiunazhit

schedule07:35 - 12 Mars, 2024

schedule 07:35 - 12 Mars, 2024

Një koreano-jugor është arrestuar në Rusi nën dyshimin për spiunazh. Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka konfirmuar arrestimin, duke thënë se ata po përpiqeshin të ofronin mbështetje konsullore.

Baek Won-soon u arrestua në Vladivostok në fillim të vitit, njoftoi agjencia shtetërore Tass, dhe ndodhet në një burg në Moskë. Ai është koreano-jugori i parë i arrestuar në Rusi nën dyshimin për spiunazh.

Tass citoi një zyrtar të paidentifikuar në raportin e tyre duke thënë se Baek dyshohet se u kishte transmetuar informacione “që përbëjnë sekrete shtetërore shërbimeve të huaja të inteligjencës”.

Mediat koreano-jugore kanë raportuar se Seuli u informua zyrtarisht nga autoritetet ruse për arrestimin muajin e kaluar. Yonhap, një media e Koresë së Jugut, raportoi se Baek u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë në janar pasi mbërriti në Vladivostok nga Kina.

Ndalimi i Baek është i fundit në një seri arrestimesh të shtetasve të huaj të kryera nga autoritetet ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë dy vjet më parë. Moska është akuzuar vazhdimisht për arrestimin e shtetasve të vendeve të tjera për t’i përdorur si mjet negocimi politik dhe për shkëmbimin e të burgosurve.

Një ndër rastet është gazetari i ëall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili u arrestua marsin e kaluar me akuza për spiunazh dhe një gazetare ruso-amerikane, Alsu Kurmsasheva, e cila u akuzua për përhapjen e “informacionit të rremë” për ushtrinë ruse.

Tass raportoi Baek po mbahet në të njëjtin burg me Gershkovich. Një gjykatë të hënën vendosi që paraburgimi i tij të zgjatet deri në qershor, njoftoi agjencia ruse e lajmeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!