Moska ka akuzuar një grup “sabotuesish” ukrainas për hedhjen në erë të tubacionit Togliati-Odesa, përmes së cilit Rusia ka eksportuar amoniak para se të niste ofensiva.
“Një grup sabotuesish ukrainas kanë hedhur në erë tubacionin e amoniakut Togliati-Odesa” që gjendet afër fshatit Masjutovka, në verilindje të rajonit të Harkivit mbrëmjen e së hënës, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, duke shtuar se disa civilë janë lënduar.
Ndërkaq, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se do të duhej një deri në tre muaj për të riparuar dëmin në këtë tubacion amoniaku, shkruan REL.
Lidhur me këto akuza të Moskës, Kievi ende nuk ka reaguar, por më herët kishte deklaruar se tubacioni ka qenë nën granatime të vazhdueshme ruse.
Rusia është një ndër prodhueset më të mëdha në botë të plehrave artificiale, përbërës kryesor i prodhimit të së cilave është amoniaku.