Rusi: Putin miraton strategjinë për t’iu kundërvënë ndikimit perëndimor

schedule08:18 - 5 Korrik, 2021

schedule 08:18 - 5 Korrik, 2021

Në mes të tensioneve me Perëndimin, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një strategji për të parandaluar “veprimet jomiqësore” nga ana e SHBA-së dhe aleatëve të tyre, që “kërcënojnë” sovranitetin e vendit të tij.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka miratuar një version të rishikuar të strategjisë së sigurisë kombëtare ruse ( botuar gjatë së shtunës 03.07), strategji, e cila përshkruan masat e kundërpërgjigjes ndaj ndikimit të huaj.

Masa e shefit të Kremlinit vjen në kohën kur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë në rritje, ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e saj kryejnë stërvitje detare në Detin e Zi.

Vendet perëndimore e kanë kritikuar vazhdimisht Kremlinin në vitet e fundit për një varg çështjesh, përfshirë sulmet e pretenduara kibernetike si dhe burgosjen e figurave politike të opozitës në Rusi.

Kultura ruse ‘nën sulm aktiv’

Referuar dokumentit me 44 faqe, presioni në rritje nga vendet perëndimore përbën një rrezik për shoqërinë ruse. “‘Perëndim-ëzimi’ i kulturës rrit rrezikun që Federata Ruse të humbasë sovranitetin e saj kulturor”, thotë strategjia e re.

Dokumenti pretendon se “vlerat tradicionale shpirtërore-morale dhe kulturore-historike ruse janë nën sulmin aktiv të SHBA-së dhe aleatëve të saj”, përfshirë institucionet transnacionale.

Teksa dokumenti rikonfirmon angazhimin e Moskës për të përdorur diplomacinë për të zgjidhur konfliktet, ai thekson se Rusia “e konsideron të ligjshme marrjen e masave simetrike dhe asimetrike” për të parandaluar “veprime jomiqësore” nga shtetet e huaja.

Dokumenti gjithashtu pretendon se Perëndimi po përpiqet të përdorë problemet sociale dhe ekonomike të Rusisë për të destabilizuar shoqërinë dhe për të radikalizuar protestën.

Putin akuzon Perëndimin për ‘provokim’

Vetëm disa ditë para se strategjia të bëhej publike, Putini e përshkroi si një “provokim” një incident të 23 qershorit në Detin e Zi, kur Rusia deklaroi se hapi të shtëna paralajmëruese ndaj një anijeje të Marinës Britanike në territoret e saj.

Britania, e cila nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia, këmbënguli që anija e saj nuk u qëllua dhe pretendoi, se ajo po lundronte në ujërat ukrainase. “Ishte haptazi një provokim që përfshinte jo vetëm britanikët, por edhe amerikanët,” tha Putini të mërkurën (01.07), duke akuzuar se një avion mbikqyrës amerikan po vepronte në bashkëpunim me anijen britanike për të monitoruar përgjigjjen ruse./DW