Aktivisti i njohur rus Aleksei Navalni nuk ka ndërmend të heqë dorë nga protestat kundër presidentit Vladimir Putin. I sapodalë nga qelia, ku vuajti një dënim pasi bëri thirrje për zgjedhje të lira, Navalni tha se protestat vetëm sa do të intensifikohen.
Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalni e përdori deklaratën e tij të parë pas lirimit nga burgu për të thënë se protestat opozitare kundër presidentit Vladimir Putin dhe autoriteteve të tjera ruse vetëm sa do të intensifikohen.
Navalni, i cili po përpiqet të fitojë mbështetje popullore duke ekspozuar rastet e korrupsionit shtetëror, foli vetëm pak minuta pasi doli nga burgu ku kishte kaluar 30 ditë për inkurajim të protestave dhe për thirrje për zgjedhje të lira.
“Po e shohim se gënjeshtrat dhe mashtrimet nuk po u mjaftojnë pushtetarëve. Tani ata duan të arrestojnë me dhjetëra dhe të rrahin me qindra njerëz. Kjo tregon se ky regjim nuk ka mbështetje dhe se politikanët i ka zënë frika”, tha Navalni për gazetarët.
Ai theksoi se, aktet e frikësimit dhe terrorit që janë kryer nga policia ndaj qytetarëve nuk do t’i ndalojnë protestat dhe shtoi se regjimi shumë shpejt do të pendohet për atë që ka bërë.
Avokati 43-vjeçar dhe njëkohësisht një ndër aktivistët më të njohur u burgos muajin e kaluar pasi u bëri thirrje qytetarëve që të protestonin në qendër të Moskës kundër përjashtimit të kandidatëve të opozitës nga zgjedhjet lokale që mbahen muajin e ardhshëm në kryeqytetin rus.
Procesi zgjedhor, edhe pse lokal, shihet si një test për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në vitin 2021./ABC News Albania 24/7