Bayern Munchen arriti akordin me Real Madrid dhe përforcoi mbrojtjen me Alvaro Odriozola. 24-vjeçari spanjoll aktivizohet në rolin e mbrojtësit të djathtë dhe është huazuar deri në fund të sezonit te kampionët e Gjermanisë.
Shefi ekzekutiv i klubit bavarez, Karl-Heinz Rummenigge është i lumtur për afrimin e lojtarit të kombëtares spanjolle. Odriozola ishte një kërkesë e trajnerit Flick dhe drejtuesi gjerman falënderon klubin spanjoll për këtë bashkëpunim.
“Pasi e diskutuam mes nesh, vendosëm të plotësonim dëshirën e trajnerit Hansi Flick për të përforcuar mbrojtjen. Vendosëm të zgjidhnim Odriozolën dhe jemi të kënaqur me këtë afrim. Falënderojmë edhe Realin për bashkëpunimin miqësor“, thekson Rummenigge për sajtin e Bayernit. /abcnews.al