Shumica e kampionateve kryesore në Europë janë ndërprerë prej koronavirusit, ndërsa Bundesliga gjermane ka vendosur që ndeshjet që ishin programuar për këtë fundjavë të luhen. Më pas do të pezullohet gjithçka deri me datë 3 prill.
Shumë janë kundër këtij vendimi, por Karl-Heinz Rummenigge është dakord me vendimin e Federatës. CEO i Bayern Munchen analizon mendimin e tij në një prononcim për mediat gjermane dhe gjithçka e lidh me pjesën financiare.
“Në fund të ditës kanë të bëjnë edhe financat. Një pagesë e lartë nga të drejtat televizive është ende në pritje. Nëse nuk do të bëhej kjo pagesë, shumë klube të vogla do të kishin probleme. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se është e drejtë që të zhvillohen ndeshjet.
Sot ka një dallim të madh, asnjë futbollist nuk ka dalë pozitiv me koronavirus, ndryshe nga Premier League dhe Formula 1. Jeta e biznesit është akoma aktive në Gjermani. Ne kemi 1 mijë punëtorë, të gjithë u paraqitën në punë në orën 8:30. Ne punojmë gjithashtu me Audi dhe Adidas, sponsorët tanë”, deklaron Karl-Heinz Rummenigge. /abcnews.al