Rumani, ish-presidenti akuzohet për krime kundër njerëzimit

schedule23:59 - 8 Prill, 2019

schedule 23:59 - 8 Prill, 2019

Ish-presidenti i Rumanisë, Ion Iliesku është akuzuar për krime kundër njerëzimit në lidhje me trazirat e viteve ‘80, kur ra regjimi komunist. Prokurorët e ngritën akuzën pas një hetimi të gjatë mbi vrasjen e 860 personave.

Ish-presidenti i Rumanisë, Ion Iliesku është akuzuar për krime kundër njerëzimit, në lidhje me rolin e tij pas revoltës së dhunshme që çoi në rrëzimin e regjimit komunist në vitin 1989.

Iliesku dhe dy ish-zyrtarë të tjerë akuzohen se i dhanë jetë një fushate dezinformimi në shfaqjet e tyre televizive, duke rritur rrezikun për gjakderdhje. Dhe në fakt, pasi mori pushtetin, në Rumani u ekzekutuan 862 persona. Vetë ish-presidenti, aktualisht 89 vjeç, mohon gjithçka.

Ndërkohë, dy personat e tjerë të akuzuar bashkë me të janë ish-zëvendës kryeministri Voikan Voikulesku dhe ish-komandanti i forcave ajrore Iosif Rus. Akuzat ndaj tyre vijnë në përfundim të një hetimi të gjatë, por për momentin ende nuk është caktuar një datë për procesin gjyqësor.

“Është një moment i veçantë dhe i rëndësishëm në historinë e sistemit rumun të drejtësisë, që po shlyen detyrimin e nderit ndaj historisë”, ka deklaruar për gazetarët kryeprokurori Augustin Lazar.

Prokurorët pretendojnë se deklaratat televizive të ish-presidentit dhe bashkëpunëtorëve të tij rritën rrezikun për përshkallëzimin e akteve të dhunës. Gjithashtu, ato ndikuan në procesin qesharak që u mbyll me ekzekutimin e diktatorit komunist Nikolae Çaushesku./abcnews.al