Partizani nuk ia doli të kualifikohej në “Air Albania”, pasi “ruleta ruse” i buzëqeshi Saburtalos të cilët u treguan më të saktë. Të kuqtë humbën 4-5 me penallti. Në këtë mënyrë të besuarit e Dritan Mehmetit u eliminuan nga Conference League në turin e parë të këtij kompeticioni.
Pjesa e parë mes vendasve dhe skuadrës gjeorgjiane u mbyll pa shumë histori, pasi dy ekipet nuk ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës në “Air Albania”.
Franksioni i dytë nisi më mirë për miqtë të cilët arritën të kalonin në avantazh 7 minuta pasi hynë në fushën e lojës, duke shtangur të gjithë të pranishmit.
Demat e Dritan Mehmetit u munduan të gjenin golin e barazimit por te kuqtë nuk mundën të finalizonin rastet e krijuara.
Takimi shkoi në shtesë pasi në sfidën e parë të zhvilluar në Gjeorgji, Partizani triumfoi me shifrat 1-0.
Edhe 30 minutat e shtesës nuk arritën të prodhonin gol, me lojtarët që iu drejtuan “ruletës ruse” për të vendosur edhe skuadrën që do të merrte biletën për në turin e dytë të Conference League.
Nga gjuajtja e 11-metërshave, fati iu buzëqeshi Saburtalos të cilët fituan 5-4 me penallti ndaj demave, te cilët i thonë lamtumirë kompeticioneve europiane.
/f.a/abcnews.al