Rudi Vata: Reja nuk ka energjinë e De Biasit, për sulmin t’i besohet Brojës

schedule09:16 - 6 Tetor, 2020

schedule 09:16 - 6 Tetor, 2020

Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata foli këtë të martë ne emisionin “Abc-ja e mëngjesit” për anulimin e ndeshjes së Shqipërisë me Armeninë dhe sfidat me të cilat po përballet ekipi i kombëtares. Në një lidhje me Skype, ish-kapiteni vuri në dukje nevojën e një ekipi më agresiv. Sipas tij, anulimi i ndeshjes është një këmbanë alarmi për trajnerin Edi Reja dhe stafin teknik për të arritur stabilitetin e duhur.

“Mendoj që mungon diçka e madhe te Kombëtarja shqiptare. E shikoj që Kombëtarja ka luhatje të mëdha, sepse nuk është stabile që prodhon rezultat dhe lojë. Jemi një Kombëtare që bëjmë gjëra të mëdhaja, mundohemi të jemi sa më spektakolarë, një Kombëtare që po fillon dhe rifreskohet.

Duhet ta pranojmë që trajneri i ekipit kombëtar nuk e ka karizmën ose energjinë që ka patur De Biasi, qoftë dhe në stolin e rezervave nuk ekziston tek ekipi i Kombëtares. Është një staf i qetë, i urtë dhe futbolli është agresiv, ka nevojë për intensitet lëvizjesh. E kuptoj që kemi futbollistë që kanë përbërje të mirë në karakteristikat e tyre, por nuk kemi gjetur akoma stabilitetin e tyre.

Mendoj se kjo ndeshje me Lituaninë të jetë një këmbanë alarmi e fortë për trajnerin Reja dhe stafin e tij, sepse siç nuk e pranoni ju një performancë të tillë, edhe tifozët shqiptarë nuk e pranojnë, pasi nuk ka një përbërje të mirë me elementë të rinj. Është detyra e stafit teknik t’i angazhojë, t’i motivojë kur futen në fushën e lojës për të arritur rezultatin që pretendojmë“, tha ai.

Ndërkaq, ai përmendi disa emra si kandidatë të mundshëm që mund të shërbejnë në rolin e sulmuesit të Kombëtares, mes të cilëve dhe Armando Brojën. “Në aspektin mbrojtës kemi shumë mundësi. Neve ndoshta mund të punojmë shumë, por nuk kemi një golshënues, që është i abonuar me golin.

Një djalë si Broja, tani është dhënë në huazim në Holandë nga Chelsea dhe ka karakteristika të mira. Ai ka nuhatje për golin, por ka nevojë për mbështetje për t’i dhënë mundësitë e mjaftueshme. Mund të jetë edhe Vrioni, pasi është rritur dhe i shërben për mirë Kombëtares.”, theksoi ndër të tjera Vata. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!