Praga ishte stacioni i fundit i veprimtarisë lobuese të Kryetarit të Kuvendit për të siguruar mbështetje për hapjen e negociatave. Takimin e parë delegacioni parlamentar shqiptar e zhvilloi me Kryeministrin e Republikës së Çekisë, i cili vlerësoi arritjet e Shqipërisë. Andrej Babiš tha se do të bëjë të gjitha përpjekjet që edhe vendet e tjera të BE-së të njohin e vlerësojnë këto arritje dhe të votojnë për hapjen e negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian. Në vazhdim të shpjegimeve të Kryetarit të Kuvendit mbi situatën politike në Shqipëri, Kryeministri Babiš u shpreh se “Protestat paqësore janë një element i demokracisë, por qeverisja e vendit fitohet vetëm nëpërmjet konkurrencës në zgjedhje”.
Kreu i Parlamentit u takua edhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve si dhe ka marrë pjesë në një seancë dëgjimore që është zhvilluar me Komisionin e Çështjeve të Europës së Dhomës së Përfaqësuesve, ku ka kërkuar lobimin e tyre me komisionet homologe në parlamentet e vendeve anëtare.
Delegacioni parlamentar shqiptar u prit edhe nga Zëvendës Presidenti i Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke dhe kryetarë të disa komisioneve të Senatit. /ABC News Albania 24/7